Fjalë Kyçe

A mund të jetë Lumir Abdixhiku kandidat për kryetar të Prishtinës?

A mund të jetë Lumir Abdixhiku kandidat për kryetar të Prishtinës?

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri ka folur për kandidimin e kryetarëve të komunave për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti në Kosovë.

Muhaxheri në Pressing në T7 tha se nuk beson që emrat që u përmenden për kandidim për kryetar të Prishtinës, si Alban Zogaj, Dardan Sejdiu e Arben Gashi do të jenë kandidatë të LDK-së për kryetar të kryeqytetit.

“Nuk e besoj që është ndonjëri prej tyre. Kandidati për Prishtinën dhe Prizrenin do të jenë më të vonshëm, ndërsa për komunat e tjera do të dalim më herët”, tha Muhaxheri.

Ndërsa, sa i përket mundësisë së kandidimit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për kryetar të Prishtinës, Muhaxheri thotë se është kundër kësaj.

Sipas tij, kryetari i partisë duhet të përgatitet për udhëheqjen e Qeverisë.

“Jo, unë kam qenë prej të rrallëve në kryesi që kam qenë kundër kandidimit të Isa Mustafës për kryetar të Prishtinës. Unë kam thon se kryetari i partisë nuk duhet të hyjë në garë për komunën, por duhet të përgatitet për Qevrinë, pra aty e tregon seriozitetin kryetari i partisë është vetëm për të qenë kryeministër, ndërsa për kryetarët e komunave mund të zgjedhet ndonjë kandidat tjetër.

Sa të muj edhe qitij (Lumir Abdixhikut) ka mi thon që s’bon me dal kandidat për kryetar të Prishtinës, se mandej s’mundesh me dalë kandidat për me udhëheq qeverinë”, tha Muhaxheri.