Fjalë Kyçe

A po e tradhton Vjosa Osmani ‘Brezin e Republikës’ në LDK?

A po e tradhton Vjosa Osmani ‘Brezin e Republikës’ në LDK?

Dy vite më parë, në prag të zgjedhjeve të 2017-së, një grup të rinjsh, të dalë në sipërfaqe nga brendësia e LDK-së apo të ardhur nga jashtë strukturave të saj, iu prezantuan publikut si frymë e re e kësaj partie, duke mëtuar të shtrihen dhe zënë vend në strukturën drejtuese dhe vendimmarrëse të saj.

I vetëpagëzuar si “Brezi i Republikës”, grupi në përbërje të Lumir Abdixhikut, Driton Selmanajt, Doruntinë Malokut, Arben Gashit, Armend Zemajt, e të tjerë, e ndërtoi në heshtje edhe lideren e tij, ish-këshilltaren e Fatmir Sejdiut, Vjosa Osmani.

Ajo arriti të ndërtojë lidershipin e saj duke e kundërshtuar liderin e partisë së saj, njëherësh kryeministër në atë periudhë, Isa Mustafën.

Vjosa dhe një pjesë e grupit të saj, përfshirë edhe disa deputetë të tjerë të LDK-së, u bënë opozitë e Isa Mustafës në Kuvendin e Kosovës, deri aty se të mos ia votojnë projektet të cilat ishin jetike për jetëgjatësinë e qeverisë së tij.

Refuzimi i këtij grupi të deputetëve për ta votuar demarkacionin me Malin e Zi, u bë edhe shkaku kryesor i rënies së qeverisë së Isa Mustafës. Pavarësisht gjithë këtij qëndrimi, në zgjedhjet e brendshme partiake Vjosa Osmani arriti të marrë mbështetjen e Isa Mustafës si kandidate për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit.

Mbështetës të Vjosa Osmanit e panë këtë si fitore të ‘Brezit të Republikës’ në LDK.

Megjithatë, ky entuziazëm u fashit vetëm disa ditë më pas, kur jashtë Kryesisë së LDK-së mbeten një pjesë e anëtarëve e këtij ‘brezi’. Dhe për këtë nuk pati ndonjë reagim nga ish-liderja e grupit.

Për më tepër, dy eksponentët kryesorë të gardës së vjetër, Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, zunë pozicione kyçe në parti: i pari bartës i procesit zgjedhor, ndërsa i dyti, nënkryetar i parë i partisë.

Dilemat e mëdha se sa është tani fuqia e Vjosa Osmanit në vendimmarrje brenda LDK-së, po bëhen të qarta dita-ditës, kur nëpër studiot televizive nga radhët e LDK-së po gravitojnë figura të gardës së vjetër, kryesisht mbështetës të Isa Mustafës, Lutfi Hazirit e Agim Veliut.

Burime të Gazetës “Alo” brenda LDK-së thonë se Vjosa Osmani po ndihet e kënaqur me pozicion e saj personal dhe ka lënë anash miqtë e saj të “Brezit të Republikës”, të cilët fatin e tyre politik në LDK dhe në Kuvendin e Kosovës, janë të detyruar ta bazojnë vetëm në fuqinë e tyre vetanake./Gazeta Alo/