Fjalë Kyçe

A po frymëzohet Gjergj Dedaj nga kryeministri i Samoas, as ai s’po e lëshon zyrën

A po frymëzohet Gjergj Dedaj nga kryeministri i Samoas, as ai s’po e lëshon zyrën

Samoa, shtet i vogël ishullor në jug të Oqeanit Paqësor, po përballet me një problem të pazakontë. Dy kryeministra po pretendojnë se janë në pushtet. Kryeministri që i ka humbur zgjedhjet po refuzon që ta dorëzojë pushtetin.

Kombet e Bashkuara u bënë thirrje udhëheqësve politikë në Samoa që krizën politike ta zgjidhin përmes dialogut, pasi rezultati i kontestuar i zgjedhjeve e la vendin e vogël në bllokadë. Dy politikanë po pretendojnë se kanë të drejtë ta udhëheqin shtetin.

Kryetarja e partisë FAST, Fiame Naomi Mataafa, pritej të bëhej kryeministrja e parë grua e Samoas, pasi siguroi shumicë të thjeshtë në kuvend dhe pasi fitorja e saj u miratua me një vendim gjykate. Sidoqoftë, kryeministri i deritashëm, Tuilaepa Sailele Malielegaoi, ka refuzuar që ta dorëzojë pushtetin dhe e ka akuzuar sistemin e drejtësisë për anësi.

Malielegaoi, i cili e ka qeverisur vendin për më shumë se dy dekada, është një nga aleatët më të ngushtë të Kinës në Paqësorin Jugor, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Përderisa një varg vendimesh nga gjykatat e përkrahin fitoren e zonjës Mataafa në zgjedhje, Malielegaoi e gëzon përkrahjen e presidentit, i cili i ka pezulluar seancat e kuvendit, duke e bllokuar procesin e konfirmimit të qeverisë së re.

Antëtarët e partive opozitare të hënën zhvilluan një ceremoni për formimin e qeverisë para ndërtesës së mbyllur të kuvendit. Kryeministri i deritashëm e cilësoi veprimin si tradhti.

Kriza politike në shtetin me rreth 200 mijë banorë ka shkaktuar edhe reagime të vendeve tjera. Shtetet Federative të Mikronezisë u bënë vendi i parë që e njohën qeverinë e zonjës Mataafa. Australia dhe Zelanda e Re nuk e kanë njohur ende formalisht qeverinë e re, por kanë thënë se proceset demokratike dhe sistemi i drejtësisë duhet të respektohen.

Rezistencë të ngjashme me kryeministrin humbës të Samoas po bën edhe ambasadori i shkarkuar i Kosovës në Maqedoninë Veriore, Gjergj Dedaj. Ai të premten u lajmërua me një fotografi nga ambasada, duke shkruar: “Misioni diplomatik vazhdon”.