Fjalë Kyçe

AAK-ja kritikohet për shfrytëzim të resureve shtetërore për fushatë

AAK-ja kritikohet për shfrytëzim të resureve shtetërore për fushatë

Partia e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj (AAK), është kritikuar për shfrytëzim të resurseve shtetërore për fushatë zgjedhore.

Zyra e kryeministrit ka njoftuar mediat se të premten, Haradinaj do të merrte pjesë në Panairin Festari në Suharekë, ku janë prezantuar produktet e bujqve kosovarë, shkruan sot Koha Ditore.

Por, pas përfundimit të këtij aktiviteti, lajmin medieve ua ka përcjellë edhe Zyra për media e AAK-së, kryetar i së cilës është Haradinaj.

Kjo ka ngritur dilemat nëse Ramush Haradinaj kishte shkuar në cilësinë e kryeministrit në detyrë, apo si kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD. Zyra për media e AAK-së nuk është përgjigjur rreth kësaj çështjeje.

Ndërkohë, në përgjigjet me shkrim të Zyrës për komunikim publik të Kryeministrisë thuhet se gjithçka ka qenë nën ombrellën e institucionit të kryeministrit.

“Zyra e kryeministrit e ka lëshuar njoftimin apo agjendën për pjesëmarrjen e kryeministrit në detyrë, z. Haradinaj në ngjarjen në fjalë në Therandë. Njoftimi për agjendë ka qenë në cilësinë e kryeministrit në detyrë dhe vetëm ky njoftim është lëshuar.

Pas përfundimit të të gjitha aktiviteteve në Therandë, nga Zyra për Medie e Zyrës së kryeministrit është lëshuar për medie komunikata zyrtare për këtë ngjarje”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për komunikim publik.