Fjalë Kyçe

AAK: Marrëveshja me MCC-në, është meritë e ish-kryeministrit Haradinaj – pas bllokadës gati dy vjeçare Kurti qenka mbushur

AAK: Marrëveshja me MCC-në, është meritë e ish-kryeministrit Haradinaj – pas bllokadës gati dy vjeçare Kurti qenka mbushur

Pas marrëveshjes mes MCC-së dhe Kosovës në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, ka reaguar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët vazhdimisht kanë kritikuar Qeverinë Kurti për zvarritje të procesit.

Përmes një komunikate, AAK thotë se më në fund kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është mbushur mend.

Kjo parti thekson se ky program është aprovuar në kohën kur Ramush Haradinaj ishte në krye të qeverisë.

“Më në fund pas pothuaj dy vjet bllokadë, Albin Kurti qenka mbushur mend dhe paska vendosur ta pranojë programin Kompakt të aprovuar në kohën e Qeverisë së Ramush Haradinajt. Mirë do të ishte ta kishte pranuar menjëherë e jo pas presioneve të vazhdueshme që ia kemi bërë.

Por më mirë vonë se kurrë. E pjesa tjetër sikur ky qenka një sukses i qeverisë së tij, nuk është gjë tjetër përpos fukarallëk. Ky është sukses i përbashkët i qeverisë amerikane dhe ish kryeministrit Haradinaj. Kjo jo për t’u lavdëruar apo për meritë, por veç për hirë të së vërtetës”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Ndryshe, ky program do të jetë projekti më i madh energjetik në Kosovë, i cili parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.

Marrëveshja e finalizuar në Washington do të nënshkruhet pasi të votohet në Kuvendin e Kosovës dhe të miratohet nga Bordi i MCC-së.