Fjalë Kyçe

Abdixhiku do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kurti

Abdixhiku do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kurti

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka pranuar ftesën e kryeministrit për t’u takuar gjatë javës së ardhshme.

“Po, do të marr pjesë”, i ka thënë ai shkurt KOHËS.

Kurti të enjten i ka ftuar liderët opozitarë në takim për të diskutuar për çështje me rëndësi nacionale. Edhe pse nuk përmendet konkretisht, pritet që temë të jetë edhe dialogu me Serbinë, për çka ai kishte thënë disa herë se do të diskutonte me partitë në opozitë.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka përmendur veçanërisht dialogun si çështje diskutimi në takimet e paralajmëruara. Ajo ka thënë se partia do ta luajë rolin e saj në këtë proces.

“LDK është e përkushtuar që dialogu të përfundon suksesshëm me njohje reciproke, në kufijtë aktual dhe në respektimin e parimeve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në kuadër të kësaj LDK do të luajë rolin e saj, duke dhënë kontributin në Kuvendin e Kosovës, si parti opozitare. Ky rol i LDK-së karshi dialogut tanimë është i formësuar dhe si i tillë do të prezantohet në secilin format të takimeve”, ka thënë Halimi për KOHËN.

Pozitivisht i është përgjigjur ftesës edhe AAK-ja, ndërsa PDK-ja nuk ka dhënë ende qëndrim, porse ka paralajmëruar konferencë gjatë ditës së premte.