Fjalë Kyçe

Abrashi e Borovci janë marrë vesh që ky i dyti të jetë në krye të degës së tretë të LDK-së

Abrashi e Borovci janë marrë vesh që ky i dyti të jetë në krye të degës së tretë të LDK-së

Pas përplasjeve që patën mes vete, Hazir Borovci e Arban Abrashi duket se janë pajtuar.

Ndonëse fillimisht Lidhja Demokratike e Kosovës mori vendim që Hazir Borovci e Arban Abrashi të tërhiqen nga gara për kryetar të Degës së Tretë në Prishtinë, Borovci, sot u zgjodh edhe për një mandat kryetar i kësaj dege.

Lajmin e ka konfirmuar për Koha.net vet Borovci, duke shtuar se në garë s’pati kundërkandidat.

“Sot në Kuvendin e Degës së Tretë të LDK-së u përmbyll procesi dhe unë mora këtë post, pra në degën e Presidentit Rugova në Prishtinë”, ka thënë Borovci, duke komentuar më pas vendimin që LDK-ja, e ka marrë rreth një jave më parë për të dhe Arban Abrashin.

Kujtojmë se LDK-ja kishte marrë vendim, pas një përplasje që ndodhi në këtë degë, që Borovci e Abrashi të tërhiqen nga gara për kryetar të Degës së tretë në Prishtinë. Por, zyrtarisht, LDK-ja s’ka konfirmuar se më pas është tërhequr nga ky vendim.

“Vendimi është tërhequr para rreth një jave, dhe kështu sot u mbajt Kuvendi Zgjedhor. Më saktë, vendimi është tërhequr në mbledhjen e fundit të kryesisë. Në fakt, ai ka qenë vetëm qëndrim i LDK-së, jo vendim, dhe me kalimin e kohës kryesia ka reflektuar dhe e ka tërhequr”, tha Borovci për Koha.net.

Borovci, ka treguar se në garë qe i vetëm, e i pranishëm, megjithatë ka qenë edhe Arban Abrashi.

Arban Abrashi, i cili fillimisht kishe kandiduar për kryetar të kësaj dege, i ka thënë portalit Koha.net se është tërhequr nga gara.

Ai tutje ka shtuar se edhe e ka votuar Borovcin duke u mbështetur në një marrëveshje për unitet.

“LDK e ka marrë atë vendim dhe unë e kam respektuar dhe kam thënë në rregull unë tërhiqem se nuk po duam incidente edhe ditëve në vijim e kemi bërë një marrëveshje për me shku disa njerëz në kryesi e nënkryetarëq me delegatë. Po kam qenë i pranishëm kur është votuar Borovci, e kam votuar edhe unë sepse kemi bë marrëveshje për unitetet”, ka thënë ai.

Njoftimin e bëri edhe kjo degë përmes një kumtese për media.

“Me përfundimin e kuvendit të Degës së Tretë, është përmbyllur procesi zgjedhor në LDK. Kështu, pa kundër kandidatë është rizgjedhur edhe për një mandat në krye të Degës së Tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë, Hazir Borovci. Ai është zotuar para delegatëve dhe të pranishmëve, që së bashku me ta, do ta qesin LDK-në, partinë e parë në vend”, thuhet në kumtesë.

Tutje, thuhet në kumtesë, pos zgjedhjes së kryetarit është zgjedh edhe kryesia e degës dhe e delegatëve për Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së, i cili pritet të mbahet me 3 gusht.

“Kuvendi ka kaluar pa asnjë problem, pas përplasjeve të cilat kanë ndodhur më parë në këtë degë. Punimet e këtij kuvendi i kanë përshëndetur, Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, njëherësh kryetar i Degës së Parë dhe anëtari i Kryesisë Qendrore, e që vije nga kjo degë, Skender Hyseni”, thuhet në kumtesën e kësaj dege të LDK-së.