Në skenën e parë të filmit “Ad Astra”, Roy McBride (Brad Pitt), një astronaut veteran amerikan, është duke e bërë gjënë e zakonshme kur ndodhet në majë të një antene në gjithësi, antenë kjo aq e lartë saqë del prej atmosferës, në boshllëkun e jashtëm.
Papritur ndodh një avari me rrymën dhe bën që dhjetëra astronautë të bien nga antena. Roy zbret poshtë për ta ndalur rrymën dhe më pas mundohet të ikë, duke e lëshuar antenën dhe duke rënë në tokë – një rënie kjo që e shpie nga e zeza e gjithësisë në kaltërinë e atmosferës, derisa më në fund e aktivizon parashutën, transmeton Koha Ditore.
Është kjo një skenë mbresëlënëse dhe tmerruese, që vë kritere të larta kur është në pyetje ajo që duam prej një filmi aksion fantastiko-shkencor. James Gray, regjisori dhe bashkëskenaristi i “Ad Astra”-s është personi i fundit që do të mund ta kishit asociuar me një film të tillë; ai është filmbërës i filmave të pavarur si “The Lost City of Z”, “The Immigrant” dhe “Two Lovers”.
Por, në projektin e parë fanta-shkencor, ai arrin që të përballet me sfidat e mëdha logjistike të xhirimit të një aventure në gjithësi, duke u treguar i sigurt dhe duke ua vënë veshin detajeve dhe tempit.
Gray e dëshmon se ai ka potencialin për të bërë një film të tillë. Ai po ashtu e ka njëfarë vizioni – që shprehet, pothuajse paqëllimshëm, në metaforën e asaj antene të gjithësisë. Teksa e shikon “Ad Astra”, mund të përgatitesh për një udhëtim jashtë kësaj bote, por duket se preokupimet e filmit janë disi të lidhura me Tokën.
Filmi ka të bëjë me Royn, kaubojin e gjithësisë të shekullit 21 dhe dërgimin e tij në një mision enigmatik në Neptun, për ta gjetur babanë, astronautin e famshëm të quajtur Clifford McBride (Tommy Lee Jones), i cili 30 vjet më parë kishte qenë në krye të udhëtimit të parë të Tokës në gjithësi, në programin e njohur si “Lima Project”.