Fjalë Kyçe

Afatet ligjore nëse s’ka marrëveshje: Kosova rrezikohet nga zgjedhje të reja

Afatet ligjore nëse s’ka marrëveshje: Kosova rrezikohet nga zgjedhje të reja

Nëse Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk arrijnë që të bëjnë marrëveshje për koalicion bashkëqeverisës, atëherë Kosova rrezikohet që të shkojë në zgjedhje.

VV dhe LKD kanë hyrë në limitet kohore që sa më shpejt të arrijnë marrëveshjen bashkëqeverisëse pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Ndonëse kanë mbetur rreth një javë deri tek seanca konstituive, e që është data 26 dhjetor, dallimet mes dy partive janë të qarta rreth çështjes së presidentit. Kjo po rrezikon të shpie vendin drejt zgjedhje të reja.

Sipas njohësve të Kushtetutës dhe analistëve politik, e vetmja zgjidhje është që këto dy parti të formojnë Qeverinë, derisa kanë shpjeguar edhe detaje se si mund të shkojë vendi në zgjedhje dhe se kur mund të mbahen ato.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka thënë se nëse nuk arrihet që të konstituohet Kuvendi, vendi do të shkojë në zgjedhje pas 60 dite.

“E vetmja alternativë e mundur është që këto dy parti të gjejnë zgjidhje këto ditë deri në datën 26 ku mbahet seanca konstituive e legjislaturës së re. Përndryshe në qoftë se 60 ditë prej asaj ditë kur do të mbahet seanca konstituive e kuvendit nuk arrihet që të bëhen institucionet pra të konstituohet Kuvendi dhe qeveria atëherë shkohet në zgjedhje të reja”, tha Baraliu për Kosovapress.

Tutje ai ka paraqitur edhe afatet kohore të mandatarit për kryeministër që të themelojë Qeverinë në rast të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Nuk mund të konstituohet Kuvendi, nuk janë votat, nuk ka marrëveshje. Duhet të ketë marrëveshje që të kenë këto dy parti të kenë 61 vota për të zgjedhur kryetarin, kryesinë dhe grupet parlamentare. Kjo nuk mund të ndodhë. Atëherë do të duhej 15 ditë pas konstituimit të Kuvendit mandatari për formimin e qeverisë i ka në dispozicion të kthejë përgjigjen presidentit. Pastaj ai mund të thotë se mund të mandatohet dhe mandej të mbahet seanca përkatëse dhe të zgjidhet qeveria. Nëse nuk mundet për herën e parë t’i bëjë 61 deputetë mandatari, këtë rast Albin Kurti i VV-së, atëherë Kushtetuta thotë se mundet edhe një herë të i kthehet mandati për 10 ditë e ardhshme nga ana e presidencës. Në qoftë se edhe tani nuk bëhet janë 40 ditë që të shkohet në zgjedhjet e reja”, thotë Baraliu.

Të dëmshme, zgjedhjet e reja i konsideron Jetmir Bakija nga Demokracia Plus, i cili thotë se ato nuk mund të japin alternativa të reja.

“Në rast të zgjedhjeve, renditja e partive pritët të jete e njëjtë në këtë numër aktual dhe prapë vendi do të gjendet në një situatë të tillë”, ka thënë Bakija.

Marrëveshja e koalicionit në mes të VV’së dhe LDK’së ka ngelur si shkak i pozitave, ku kjo e fundit e dëshiron postin e Presidentit dhe Ministrinë e Brendshme, gjë që nuk po pajtohet partia e Albin Kurtit.