Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku të pranishëm edhe anëtarët e KE të FFK-së, shkruan GazetaAlo.
Presidenti Ademi bëri të ditur se është mbajtur takimi i rregullt i Komitetit Ekzekutiv, në prag të fillimit të ciklit të ri kualifikues për Kombëtaren A për Euro 2020, ku është biseduar për çështjet organizative për miqësoren me Danimarkën, që zhvillohet më 21 mars dhe për ndeshjen e parë kualifikuese me Bullgarinë, me 25 mars. Gjithashtu, presidenti Ademi bërë me dije se në mbledhjen e KE-së u diskutua edhe për Kuvendin e Punës së FFK-së, i cili do të mbahet më 28 mars dhe u dakordua agjenda e mbledhjes.
Tutje presidenti Ademi e sqaroi edhe situatën e krijuar ditëve të fundit pas shkrimeve të disa portaleve lidhur me deklaratën e FC ‘Llapi’, si dhe rreth si rreth djalit të ish-presidentit, Fadil Vokrri.
Sa i përket çështjes së organizimit të ndeshjeve ka folur zëvendëssekretari i përgjithshëm, Arianit Ahmeti, i cili ka bërë të ditur se gjithçka po ecën sipas dinamikës së paraparë. Ai ka bërë të ditur se biletat për ndeshjet kundër Danimarkës dhe Bullgarisë sipas të gjitha gjasave do të dalin në shitje të premten.
“Biletat do të shiten sërish nëpërmjet platformës online, kurse çmimet e biletave kanë pak rritje në krahasim me ndeshjet e kaluara, kjo në bazë të marrëveshjes së zyrës së marketingut të FFK-së me të gjitha zyrat e marketingut të federatave të regjionit, që është dakorduar edhe në UEFA. Në veri dhe jug biletat do të kushtojnë 5 euro. Në lindje dy pjesët anësore do të jenë nga 10 euro, derisa pjesët e tribunës qendrore 15 euro, në perëndim pjesa e poshtme 15 euro, derisa pjesa sipër përkrah tribunave VIP do të kushtojë 20 euro. Ndërkaq, biletat VIP do të jenë 80 euro”, ka theksuar Ahmeti.
Ai ka shprehur shpresën se kësaj radhe edhe sistemi online nuk do të ketë mbingarkesë dhe qytetarët e interesuar të arrijnë më lehtë të pajisen me biletë për ndeshje. Gjithashtu, Ahmeti, ka bërë të ditur se biletat mund të blihen edhe në pako për dy ndeshjet nga një person.
Ndërkaq, sa i përket akuzave të FC “Llapi” për kinse 38 mijë euro premi për Prishtinën, presidenti Ademi ka theksuar se ato akuza nuk qëndrojnë dhe janë të rreme.
“Në FFK merren para nga klubet vetëm ato që u takojnë. Asnjë klub nuk ka marrë asnjë cent më shumë se sa u takon. Ne si KE i FFK-së do të jemi përherë afër klubeve dhe do t’u ndihmojmë për aq sa ka mundësi me projekte të UEFA-s. Klubet e Superligës i kanë mjetet nga të drejtat televizive dhe sponsori IPKO dhe ato ndahen në mënyrë të barabartë. Prandaj, ju lus dhe ju sugjeroj që kur shkruani diçka, të kërkoni çdo dokument që iu duhet në mënyrë që thjeshtë të raportoni lajm të vërtetë e jo t’i merrni dhe t’i publikoni lajmet e rrejshme.
FFK është e hapur dhe të gjitha pagesat janë transparente, pastaj është Kuvendi ku do të verifikohen të gjitha pagesat, sepse në FFK çdo pagesë bëhet nëpërmjet xhirollogarisë bankare. Prishtinës i janë transferuar 12.500 euro për të drejtat televizive dhe 8 mijë euro nga projekti i UEFA-s për akademitë e futbollit. Po thuajse të gjitha klubet i kanë marrë parat paraprakisht dhe ndër to është edhe Llapi. Pra, ju garantoj që FFK-ja nuk abuzon me asnjë cent”, ka theksuar Ademi.
Ndërkaq, sa i përket çështjes së Gramoz Vokrrit, presidenti Ademi ka sqaruar se lajmi i publikuar në portale është i pavërtetë.
“Gramozi është anëtar i yni dhe është i mirëpritur në Federatë kurdo që ai e gjen veten. Këtë nuk e kemi bërë për ndonjë përvojën që e ka, por praktikisht si djalë i legjendës Vokrri, të cilin e respektojmë maksimalisht, por edhe si një djalë i ri që është rritur në Evropë, i cili mund të japë rezultat në Federatë. Ne në fund ia kemi ofruar një kontratë të re, por ai nuk ka pranuar ta nënshkruajë, për arsye të cilat ne nuk i dimë. Atij i është ofruar drejtori për marrëdhënie me jashtë, por ka disa ditë që nuk është duke ardhur dhe nuk na ka dhënë përgjigje. Sinqerisht këto shkrime nuk është se po na bëjnë ndonjë turbulencë të madhe, por është keq edhe për futbollin por edhe për personalitetet të cilat përmendet, ngase ekziston një kod i etikës, që duhet respektuar si nga mediat ashtu edhe nga ne”, ka nënvizuar presidenti Ademi.
Në fund, presidenti ka thënë se çdo kritikë është e mirëseardhur, por gazetarët duhet të jenë më vigjilentë dhe të raportojnë vetëm lajme të verifikuara dhe të jenë më të kujdesshëm për të mos e dëmtuar futbollin pikërisht tani kur jemi afër fillimit të ciklit kualifikues për Euro 2020, ku Kosova synon të lë gjurmë dhe të arrijë kualifikimin historik./GazetaAlo