Fjalë Kyçe

Agjencia për Akreditim rikthehet në ENQA si anëtare e asociuar

Agjencia për Akreditim rikthehet në ENQA si anëtare e asociuar

Ministria e Arsimit, Arbëre Nagavci ka thënë se Agjencia Kosovare për Akreditim është rikthyer në ENQA si anëtare e asocuar.

“Kam kënaqësinë t’ju informoj se në mbledhjen e 20 shtatorit 2022, Bordi i ENQA-s shqyrtoi aplikacionin tuaj për anëtarësim në ENQA dhe vendosi t’i japë AKA statusin e ‘affiliate’ në ENQA”, shkruan në letrën e drejtoreshës së ENQA-s, drejtuar drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ka shkruar Nagavci.

Sipas saj, kjo është një e arritur e jashtëzakonshme nga e cila do të përfitojnë studentët, të diplomuarit, komuniteti akademik dhe shteti i Kosovës në përgjithësi.

Nagavci ka shtuar se vendimi i sotëm është një garanci kredibile për cilësinë në arsimin e lartë dhe lehtëson procesin e njohjes së diplomave të studentëve dhe të diplomuarve në vendet evropiane.

Ajo ka thënë se ky vendim lehtëson procesin e shkëmbimit të studentëve dhe profesorëve me vendet evropiane dhe më gjerë.

“Me vullnet, politika cilësore e që mundësojnë pavarësi institucionale, me bashkëpunim profesional, hap pas hapi po përmirësojmë dëmet e shkaktuara nga ndërhyrjet partiake të qeverive të kaluara. Falënderoj për bashkëpunim, punë profesionale e të palodhur, Agjencinë e Akreditimit, Këshillin Shtetëror të Cilësisë, institucionet qeveritare dhe komunitetin e donatorëve, për këtë të arritur të përbashkët. Me vendimin e sotëm Agjencia e Kosovës për Akreditim është vetëm edhe një hap larg për tu bërë anëtare me të drejta të plota e ENQA”, ka shkruar ajo.

Në vitin 2014, AKA-ja u pranua në ENQA, kurse në vitin 2015 në EQAR, mirëpo të dyja e përjashtuan për shkak të ndërhyrjeve politike në këtë agjenci të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, dhe ish-ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Ish-kryeministri Haradinaj, më 28 janar 2020 derisa ishte ende në detyrë, i shkroi letër kryetarit të AKA-së, Gazmend Lubotenit dhe ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë së Akreditimit, Avni Gashit, ku kërkonte të kenë kujdes të veçantë në trajtimin e kërkesave që vijnë nga kolegjet.

Ai kishte ndërhyrë në këtë agjenci edhe në shtator të vitit 2017. Me kërkesë të tij, ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, shkarkoi komplet Këshillin Shtetëror të Cilësisë dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të Agjencisë.