Fjalë Kyçe

Agjencitë amerikane të zbulimit: Origjina e koronavirusit, mund të mos zbulohet kurrë

Agjencitë amerikane të zbulimit: Origjina e koronavirusit, mund të mos zbulohet kurrë

Origjina e koronavirusit mund të mbetet përfundimisht një mister për njerëzimin. Agjencitë amerikane të zbulimit pohuan se ndoshta nuk do të munden të identifikojnë se nga erdhi sëmundja: u transmetua nga kafshët tek njeriu, apo doli nga ndonjë laborator.

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar (ODNI) tha në një raport të deklasifikuar se origjina natyrore apo prejardhja nga një laborator janë që të dyja hipoteza të mundshme se si SARS-COV-2 arriti të infektojë njerëzit.

Raporti megjithatë i hedh poshtë pretendimet koronavirusi mund të jetë përdorur si një armë biologjike, duke vënë në dukje se mbështetësit e kësaj teorie “nuk kanë qasje të drejtpërdrejtë tek Instituti i Virologjisë në Wuhan” dhe se janë akuzuar për përhapje të dezinformimit.

Dokumenti është përditësim i një përmbledhjeje 90-ditore që administrata e Presidentit Joe Biden publikoi në muajin gusht, ndërsa po zhvillohej një betejë e fortë politike se sa duhej fajësuar Kina për efektet e pandemisë globale, në vend të qeverive që mund të mos kenë vepruar me shpejtësinë e duhur për të mbrojtur qytetarët e tyre.

Ish presidenti Donald Trump vazhdimisht kishte fajësuar Kinën për virusin që gjunjëzoi botën, duke iu referuar atij si “murtaja kineze” dhe përsëriste vazhdimisht se përgjegjësia për këtë situatë rëndon mbi Pekinin.