Fjalë Kyçe

Ahmeti i ndan këngëtarit Sabri Fejzullahu “Çelësin e Qytetit”

Ahmeti i ndan këngëtarit Sabri Fejzullahu “Çelësin e Qytetit”

Sabri Fejzullahu e ka pranuar “Çelësin e Qytetit” nga kryetari Ahmeti.

Për më shumë se 50 vjet i këndoi Prishtinës, dhe jo vetëm. Për karrierën e tij të pesë dekadave, Sabri Fejzullahut sot i është ndarë “Çelësi i Qytetit, nga Komuna e Prishtinës.

Në Ditën e Çlirimit të Prishtinës, i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti tha se kjo mirënjohje po i ndahet për kontributin e dhënë për karrierën e gjatë të këngëtarit të njohur.

“Kemi vendosur që “Çelësin” t’ju japim juve, për kontributin e dhënë për Prishtinën. Po them për Prishtinën për shkak se edhe atë ditë kur e mbajtëm koncertin, njerëzit të identifikojnë si prishtinas. Unë të kam quajtur zemra e Prishtinës, dhe faleminderit për 55 vjet karrierë. Edhe gjatë kësaj karriere këngët më të njohura i ki për Prishtinën. Edhe atë ditë besoj na ke kënaq edhe me koncert”, u shpreh Ahmeti, transmeton kp.

Kujtimi më i mirë i periudhës së pandemisë, Ahmeti tha se do të mbetet koncerti i Sabri Fejzullahut, i mbajtur në stadiumin “Fadil Vokrri”.

E Sabri Fejzullahu tha se është ndihet i nderuar që i është ndarë “Çelësi i Qytetit”. Ai pati edhe fjalë të mira për kryetarin Shpend Ahmeti.

“Shpend, më ke nderuar shumë, si kryetar dhe gjithë asambleja juaj që punon edhe që ka punuar më së miri që katër muajt e fundit. Unë si qytetar, si çdo njeri i përcjell punët e kryetarëve të komunave. Jam në kontakt me njerëz, edhe me pastrues, edhe me bujq, edhe me fëmijë. Flitet që në Ballkan, po e them me gjithë zemër, jeni njeriu dhe komuna më e suksesshme, duke e nisur prej pandemisë që ka qenë një tmerr. Por, që gjithmonë ju me njerëzit tuaj e keni nisur që të mos e humbni mësimin”, ka theksuar Fejzullahu.

Fejzullahu i shoqëruar me nipin e tij, tha se është shumë i nderuar për këtë mirënjohje, për çka tha premtoi se do të punojë edhe shumë gjatë.

Këngëtari Sabri Fejzullahu këndon tash e më shumë se 50 vjet. Në repertorin e tij nuk mungojnë as këngët kushtuar qytetit të Prishtinës.