Fjalë Kyçe

Ahmeti: Ndërhyrjet e spektrit politik të Kosovës në Maqedoni të Veriut, s’janë të mira

Ahmeti: Ndërhyrjet e spektrit politik të Kosovës në Maqedoni të Veriut, s’janë të mira

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se ndërhyrjet e spektrit politik të Kosovës në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, nuk janë të mira, sidomos duke marrë parasysh proceset euroatlantike që po kalon Kosova.

Kreu i BDI-së, megjithatë ka theksuar se ky fakt nuk ndikon në raportet me Kosovën por kërkon që “të mos lihet një hije e keqe te popullata në Maqedoni të Veriut”.

Sipas Ahmetit, Kosova duhet t’i ketë miq fqinjët dhe se ndërhyrje të tilla nuk ka pasur asnjëherë.

“Së pari, sa i takon marrëdhënieve Kosovë-Maqedoni e Veriut, kanë ndodhur ndërhyrje që bëhen nga këtu. Nuk është e mirë sepse Kosovës i duhen miq, në veçanti shtetet fqinje. Fqinjët duhet t’i ketë aleat për proceset e rëndësishme. Maqedonia e Veriut vend anëtare në NATO, është në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është në të gjitha institucionet ndërkombëtare, kurse Kosova sigurisht që është e pikë e dobët, duke filluar nga unë. Këto raporte që ju i theksoni fare nuk do të ndikojnë në raportet ndërshtetërore Kosovë-Maqedoni e Veriut, por e mira është që të mos lihet një hije e keqe te njerëzit në Maqedoni, sepse asnjëherë nuk ka ndërhyrë as Kosova e as Maqedonia nëpër fushata”, ka thënë Ahmeti në një intervistë për Ekonomia Online.

Ahmeti ka thënë se raste të tilla nuk kanë ndodhur asnjëherë, madje as nga Shqipëria. Ndonëse kjo çështje, sipas tij, nuk ka ndikuar në përçarje, Ahmeti thekson se nuk është pritur as me admirim. Por, vetëm 4 ditë më herët Ali Ahmeti u shpall qytetar nderi në Shqipëri, ndërsa zyrtarë të Lëvizjes VLEN i kanë thënë KTV-së se njësoj kishte ndërhyrë në zgjedhje edhe ish-presidenti Hashim Thaci duke i dhënë mbështetje Ahmetit gjatë proceseve të kaluara zgjedhore.

“As unë nuk jam involvuar asnjëherë në Kosovë, pavarësisht se unë të gjithë i kam bashkëluftëtarë të angazhuar në partitë politike, por asnjë raund nuk kam mbajt anë. As Shqipëria nuk ka mbajt anë në Maqedoni por kjo varet edhe prej qëndrimeve të njerëzve, prej qëndrimeve të drejtueseve. Nuk do të ketë ndonjë pasojë apo diçka e tillë në Maqedoni. Nuk ka ndikuar në përçarje por nuk pritet me admirim kjo ndërhyrje”, është shprehur Ahmeti.