Fjalë Kyçe

Ajdini: 1 Maji punëtorët kosovarë i gjen të varfër

Ajdini: 1 Maji punëtorët kosovarë i gjen të varfër

Dita Ndërkombëtare e punëtorëve – Një Maji, punëtorët kosovarë po i gjen në gjendje jo të mirë. Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, se problemet kryesore me të cilat po ballafaqohen punëtorët janë moszbatim i ligjit të punës, kushtet jo të mira të punës e paga minimale e ulët. Për këto probleme, sot nga ora 11 do të protestohet në Prishtinë.

Ka kontratë pune e në të thuhet se duhet të punojë pesë ditë në javë, me nga tetë orë pune. Por, ndryshe nga ajo që shkruan në letër, është realiteti, thotë për Radio Kosovën, Arian Gashi, nga Ferizaj. Ky i ri thotë se punon gjashtë ditë në javë dhe atë me nga dhjetë orë në ditë.

“Të drejtat e punëtorëve vetëm shkelen, nuk respektohen. Orari i punës është shumë i gjatë në krahasim me pagën që marrim. Por, fatkeqësia më e madhe është se nuk kemi ku të shkojmë dhe na është imponuar të punojmë në kushte të tilla”, tha Arian Hyseni.

Se 1 maji, punëtorët po i gjen në gjendje jo të mirë, e pohon edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini.

“ Për fat të keq kjo ditë, punëtorët kosovarë i gjen të varfër. I gjen me mohim të të drejtave elementare, që atyre u takojnë me konventat ndërkombëtare. Punëtorët kosovarë 1 maji i gjen me një situate, me një pagë minimale që askund nuk ka” , pohoi Ajdini për Radio Kosovën.

Përveç problemeve të shumta si: mungesa e kontratave të punës, puna me orar të tej zgjatur, kushtet dhe siguria jo e mirë në punë, për kreun e BSPK-së problem i madh është edhe paga e ulët minimale. Ajdini thotë se urgjentisht paga minimale duhet të rritet.

“Duhet të ketë një plan program të hartuar edhe nga qeveria, që paga minimale të jetë mbi 350 euro. Kështu, nëse duam ne t’i ruajmë punëtorët, të ruajmë edhe “trurin” e vendit, atëherë duhet të rritet paga minimale. Përndryshe, kemi me mbet pa punëtorë dhe profesionistë të fushave të caktuara”, thotë Ajdini.

Dita Ndërkombëtare e Punës – 1 Maji, shënohet që nga viti 1866.Ky manifestim lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, të cilët kërkonin më shumë të drejta.