Fjalë Kyçe

Akoma s’ka autobus Prishtinë –Aeroport

Akoma s’ka autobus Prishtinë –Aeroport

Kanë kaluar tre muaj që nga nënshkrimi i marrëveshjes në mes të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Infrastrukturës, për linjën e autobusit e cila do t’i dërgojë udhëtarët nga kryeqyteti për në aeroportin “Adem Jashari” dhe anasjelltas. Por, deri më tani nuk është vënë në funksion një autobus i tillë.
Qytetarët të cilët duan të shkojnë në aeroportin e Prishtinës dhe ata që duan të kthehen nga aeroporti në qytet, janë të detyruar të përdorin makinat e tyre private, por edhe taksitë të cilat do t’u kryejnë atyre shërbimin e transportit.
Kjo pasi linja e autobusit i cili do të operojë në linjën Prishtinë-Aeroport-Prishtinë, ende nuk është lëshuar. Ani pse marrëveshja për një gjë të tillë është nënshkruar që nga 24 janari i këtij viti, qytetarët ende nuk po mund ta shfrytëzojnë këtë linjë.
Komuna e Prishtinës në një përgjigje për Express ka thënë se nuk ka kompetenca përtej nënshkrimit të marrëveshjes dhe ofrimit të një autobusi nga Trafiku Urban.
Sipas tyre, tashmë kjo çështje është në dorën e Ministrisë së Infrastrukturës.
Se Ministria e Infrastrukturës ka kompetenca për linjën e autobusit e kanë konfirmuar edhe nga aeroporti i Prishtinës.
Unidon Krasniqi, Zëdhënës i ANP’së ka thënë për Gazetën Express se kjo kompani tash e disa vite e ka të rregulluar infrastrukturën e nevojshme për mundësimin e transportit publik nga dhe për aeroportin “Adem Jashari” duke përfshirë stacionet e autobusëve, sinjalizimin e nevojshëm si dhe masat e nevojshme në aspektin e sigurisë.
“Ne e mbështesim fuqishëm këtë iniciativë sepse konsiderojmë se lansimi i këtyre linjave do të ishte në të mirën e udhëtarëve tanë dhe rrjedhimisht të biznesit tonë. Gjithsesi, implementimi i këtij projekti është nën përgjegjësinë e Ministrisë së Infrastrukturës andaj ne mbesim të gatshëm të ofrojmë çfarëdo asistencë sa i përket anës sonë në mundësimin e realizimit të tij”, ka thënë Krasniqi.
Gazeta ka kontaktuar edhe me MI’në, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje për çështjen e kësaj linje të autobusit.
Ndërkaq çmimi i biletës së autobusit nga Prishtina në aeroportin “Adem Jashari”, nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, parashihej të ishte rreth 3 euro për një drejtim.
Derisa MI’ja, Komuna dhe Aeroporti të kryejnë të gjitha procedurat për realizimin e linjës së autobusit, Kosova ende mbetet i vetmi vend në rajon e që nuk e ka të rregulluar transportin që lidh qytetarët me aeroportin