Fjalë Kyçe

AKR në Fushë Kosovë kërkon pagesa për këshilltarët e prekur nga Covid-19

AKR në Fushë Kosovë kërkon pagesa për këshilltarët e prekur nga Covid-19

Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës nuk ka votuar fare nëse duhet t’u paguhen ose jo mëditjet këshilltarëve komunalë që kanë qenë me COVID-19 gjatë kohës së pandemisë. Ky propozim që është bërë nga këshilltari komunal nga radhët e AKR-së, Driton Hasolli, nuk është hedh fare në votim nga kryesuesja, Vjollca Konjusha. Hasolli ka pasur vërejtje pse nuk ishte futur kjo pikë në rend të ditës si rekomandim i Komitetit për Politikë dhe Financa.

“Në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa u morëm vesh që të hyjë si rekomandim mëditjet për ata që kanë qenë me COVID, sepse Kuvendi Komunal nuk u ka ofruar as kushtet elementare për të marrë pjesë në mbledhje. Dhe ata këshilltarë komunalë që kanë qenë me COVID duhet t’u kompensohen mëditjet”, ka thënë Driton Hasolli në mbledhjen e së martës të Kuvendit Komunal.

Por, ky propozim nuk është mbështetur nga Driton Ademi i Nismës.

“Mbledhjet ose janë me prezencë fizike ose ‘online’. Unë kam qenë me COVID dhe unë ato mjete nuk i marrë. Duhet me u solidarizua me publikun”, ka thënë ai.

As shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së nuk e ka parë të realizueshme këtë kërkesë.

“Po e kuptojmë edhe Driton Hasollin, na kemi raste që në kuptimin etik e mbështesim që të jemi më solidarë me publikun dhe një gjë e tillë (pagesa e mëditjeve v.j.) nuk është e arsyeshme edhe pse mungesa )në mbledhje v.j.) ka qenë e detyrueshme. Unë nuk shoh realizimin e këtyre mjeteve”, ka thënë Remzi Shala.

Por, ndryshe ka deklaruar bashkëpartiaku i tij, Sabit Bullatovci.

“Shumë lehtë është me fol, po këshilltari e ka të drejtë. Unë 30 ditë kam qenë me COVID bashkë me shoqen, i kam shpenzuar mijëra euro. Nëse ka mundësi ligji nuk ia ndalon (pagesën e mëditjeve v.j.). Nëse asamblisti është i sëmurë ai nuk mund të vijë. Ligji është, edhe ata janë në marrëdhënie pune. Këshilltarit i takon ligjërisht mëditja sikur ata të punësuar që e marrin pushim mjekësor”, është shprehur Bullatovci.

Por, nënkryetari i Komunës, Fadil Krasniqi, ka thënës e nëse mund t’i kompensojmë qytetarët që kanë qenë të prekur me COVID-19, do t’i kompensojnë edhe mëditjet e këshilltarëve.

Ndërsa, sipas këshilltarit të Iniciativës Qytetare, Migjen Kolshi, ky kundërshtim i Driton Ademit vije për shkak të mosmarrëveshjeve që i kanë pasur Ademi e Hasolli se kush do të përfaqësohet në Komitetin për Politikë dhe Financa nga partitë e vogla. Një gjë të tillë e ka mohuar Driton Ademi.

“Këto janë probleme të mëhershme të ‘Ademave’ për shkak të Komitetit. Sa i përket pagesave, nuk e kam këtë problem. Por, në muajin e kaluar nuk i kemi marrë pagat. Ne në mbledhjen e kaluar nuk e kemi miratua raportin financiar dhe drejtori na u ka hakmarrë dhe nuk na i ka dhanë pagat”, ka theksuar Kolshi.

Ndërkohë, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Vjollca Konjusha, ka thënë se është interesuar pse nuk janë kryer pagesat, por sipas saj, kjo ka ndodhur për shkak të disa ndryshimeve në Ministri.

Kurse sa i përket propozimit të këshilltarit të ARK-së, ai nuk është hedh fare në votim.