Fjalë Kyçe

Aksioni i madh i policisë në Prishtinë, arrestohen nëntë persona

Aksioni i madh i policisë në Prishtinë, arrestohen nëntë persona

Policia ka njoftuar se pas një operacioni të gjerë mëngjesin e sotëm, ka arrestuar nëntë persona nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të ndryshme penale.

Siç thuhet në njoftimin e Policisë, operacioni policor ka përfshirë tri lokacione të ndryshme të rajonit të Prishtinës, atë të Kodrës së Trimave, Velanisë dhe Matiqanit, ku gjatë kontrollit nga të dyshuarit janë sekuestruar:

Rasti Nr.1

Me datën 31/05/2019 në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka realizuar një operacion policor në rajonin e Prishtinës, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër (4) personave të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘falsifikim i dokumenteve’ neni 390.

1. Veturë Opel Astra,
2. Tre telefona SAMSUNG,
3. Dy pasaporta të Republikës së Kosovës,
4. Një librezë e veturës zvicerane.

Me vendim të prokurorit kompetent personat e dyshuar dërgohen në ndalim për 48 orë, për veprën penale ‘falsifikim i dokumenteve’.

Rasti Nr.2

Po ashtu sot me 31/05/2019 në komunën e Drenasit, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pas pranimit të informacioneve zyrtare nga vetë Komuna e Drenasit, ka ndërmarrë veprime policore lidhur me një rast të iniciuar me datën 12.04.2019, i cili ka të bëjë me dyshimet për përfshirje të disa zyrtarëve në veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe mashtrimi në detyrë’, që ndërlidhen me një projekt tenderues të disa viteve më parë.

Pas hetimeve të kryera në cilësinë e personave të dyshuar janë intervistuar pesë (5) persona, prej tyre tre zyrtarë të kësaj komune, një ish zyrtar i komunës dhe një person i kontraktuar për menaxhimin e projektit tenderues, të cilët me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në ndalim për 48 orë.

Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës është duke vazhduar hetimet mbi dyshimet e bazuara të përfshirjes së mundshme edhe të personave të tjerë.