Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër A.A., në cilësinë e zyrtarit policor, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas Kodit Penal të Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri A.A., më datë 5.06.2019 rreth orës 12:53 në Pikën Kufitare të Vërmicës, në cilësinë e zyrtarit policor duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk e përmbush me dashje detyrën e tij zyrtare duke rënë ndesh me ligjin e aplikueshëm dhe udhëzimin administrativ, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për persona tjerë, të cilët kanë kaluar kufirin për në Kosovë nga Republika e Shqipërisë.
Ai derisa ishte në detyrë në PKK të Vërmicës, ka lejuar veturën e markës “Opel Zafira”, i cili drejtohej nga E.C., së bashku me personat e huaj punëtorë teknikë të Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri që të hyjë nga Republika e Shqipërisë për në Kosovë në kundërshtim me procedurat kufitare pa dokumentacion adekuat të udhëtimit, pa pasaportë dhe pa vizë, duke mos kryer kontrollin kufitar, evidentimin dhe verifikimin e tyre sipas ligjeve të Kosovës.
Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se A.A. ka përmbushur elementet e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.