Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që të dorëhiqet.
“Në Kosovë nuk mund të flitet për krim të organizuar pasi krimi është i institucionalizuar; në shtetin e kapur nuk ka më krim të organizuar por të institucionalizuar këtë e thonë nga KDI dhe Transparency International”.
“Imazhi i Kosovës në BE kurrë s’ka qenë më i keq sesa sot që nga mbarimi i luftës. Qeveria servile dhe kuvendi i shtypur e kanë krijuar këtë situatë.
“Po e kërkojmë dorëheqjen e Qeverisë që tashmë është tërhequr. Nga 29 qeveritar asnjëri prej tyre nuk ndodhet në këtë seancë. Ne po i kërkojmë dorëheqje një qeverie të tërhequr. Kjo qeveri e ka bojkotuar Kuvendin. Le ta tërheqin dorën sikurse e kanë tërhequr edhe shpirtin”, është shprehur Kurti, njofton Klan Kosova.
Derisa ka folur për mosliberalizimin e vizave, Kurti ka thënë se BE e ka shtuar numrin e kritereve për Kosovën më shumë se askund edhe pse e ka ditur gjendjen e rëndë.
“Problemi i BE-së është se nuk i ka shkuar mendja që kryeministri nuk mund ta kërcënojë prokurorin dhe që nuk mund të depërtohen tinëz. Kemi shumë kritere sepse nuk jemi trajtuar normalisht, as për së afërmi. Imagjinata e tyre doli se ishte e kufizuar. Liberalizimi nuk është prioritet i qytetarëve për veten por i qeverisë për qytetarët. Pas pavarësisë asnjëherë në topprioritet nuk ka qenë liberalizimi, kanë qenë shëndetësia, arsimi, punësimi”.
“Pushteti në Kosovë më shumë është regjim sesa qeveri e ka krijuar përshtypjen se as populli porsi qeveria nuk e do Kosovën. Qeveria nuk e do vendin sepse e vjedh, por nuk e do as popullin. Për dallim nga qeveria, qytetarët e duan vendin tonë”.