Fjalë Kyçe

Albulena Haxhiu i reagon Abelard Tahirit për Vettingun: Është për keqardhje që ishe ministër

Albulena Haxhiu i reagon Abelard Tahirit për Vettingun: Është për keqardhje që ishe ministër

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu i ka reguar ish-ministrit të Drejtësisë Ableard Tahiri, i cili ka thënë u desh pak “muaj që mazhoranca e Vjosës dhe Albinit të tregojnë paaftësinë e tyre për të realizuar vettingun”.

Ajo ka thënë se Tahiri është përgjegjës pasi mekanizmat ekzistues kanë dështuar, njofton Klan Kosova.

“Ish Ministri i Drejtësisë Tahiri, paska gjetë kohë me i thënë disa fjalë për Vetingun dhe Presidenten. Realisht kur lexon atë që ka shkruar, është për keqardhje që i njëjti, ka qenë Ministër i Drejtësisë”.

“Nëse lexohet Koncept-dokumenti për Vetingun (që dyshoj të jetë lexuar nga Tahiri), vërehet qartë rruga që do të ndiqet për zhvillimin e procesit të Vetingut, duke mundësuar një verifikim të tërësishëm të subjekteve të vetingut dhe duke ndërtuar mekanizma të cilët bëjnë verifikimin/vlerësimin e vazhdueshëm të tyre. Dhe kjo ka ardhur, pasi mekanizmat ekzistues që përmend Tahiri, kanë dështuar dhe për këtë mbahet përgjegjës edhe Tahiri. Nëse këta mekanizma llogaridhënës që përmend do të ishin efikas tash e shumë vjet, nuk do të kishim fare nevojë për Veting”.

Ajo ka thënë se në Ministri të Drejtësisë çdo ditë identifikojnë të metat e Tahirit, duke shtuar se gjithashtu është për keqardhje “të jesh Ministër i Drejtësisë dhe të mos mbahesh në mend qoftë edhe për një punë të mirë”.

“Përndryshe ne do të vazhdojmë punën e mirë që kemi nisur drejt materializimit dhe finalizimit të procesit të vetingut, duke ndjekur rekomandimet e këtij Koncept Dokumenti dhe gjithashtu, duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar dhe të gjithë ata që e duan shtetin e së drejtës”.