Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, është i vetëdijshëm që Interi është rival i skuadrës së tij për titullin e Serisë A, mirëpo beson se ndeshja e javës së ardhshme kundër Young Boys, në Ligën e Kampionëve, është më e rëndësishme.
Juventusi do të ndeshet këtë të shtunë me Interin në stadiumin “Allianz”, dhe tanimë e kanë një epërsi prej 11 pikësh ndaj Interit, që radhitet në pozitën e tretë, pas vetëm 14 ndeshjeve, transmeton Gazeta Express.
Allegri beson se Interi është në garë me Juventusin dhe Napolin për titullin e e Serisë A, por beson se Juventusit i duhet më shumë fitorja kundër Young Boys të mërkurën, pasi që tre pikët e kësaj ndeshje ia sigurojnë kualifikimin në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve nga pozita e parë të Grupit H.
“Nesër është Derby d’Italia. Pavarësisht se si pozicionohemi në tabelën e Serisë A, kjo do të jetë një mbrëmje mbresëlënëse. Do të jetë një test teknik dhe mendor kundër një skuadre që është rritur shumë dhe që bashkë me Napolin, janë rivalët tonë për titullin e Serisë A”, ka thënë Allegri.
“Bashkë me Napolit, ata janë anti-Juventusi për momentin. Nuk mendoj se të tjerët luajnë për pozitën e dytë. Ancelotti e thotë këtë gjë gjatë gjithë kohës, ne ende i kemi tri ndeshje të drejtpërdrejta dhe radhitja mund të ndryshojë”.
“Për ne, ndeshja e mërkurës së ardhshme është më e rëndësishme sepse jemi duke luajtur për pozitën e parë në grupin e Ligës së Kampionëve. Ndeshja e nesërme kundër Interit është vetëm një ndeshje”. /Gazeta Express/