Fjalë Kyçe

Ambasada britanike sot diskuton për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese në Kosovë

Ambasada britanike sot diskuton për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese në Kosovë

Ka një vit e gjysmë që kur Qeveria e Kosovës dhe Ambasada britanike në Prishtinë kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit lidhur me rekrutimin e pozitave të larta drejtuese.

Memorandumi ka për qëllim që procesi i rekrutimit të personave në krye të agjencive që janë në përgjegjësi të Qeverisë të jetë kredibil, ndërsa gjatë procesit kishte edhe ekspertë nga Mbretëria e Bashkuar.

Ambasadori britanik në Kosovën Ruairi O’Connell, vlerëson se korrupsioni dhe nepotizmi janë dy probleme serioze në Kosovë.

Pak javë më vonë, Ambasada britanike nënshkroi këtë marrëveshje edhe me kryetarin e kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, për vazhdimin e projektit për rekrutimin e zyrtarëve profesionalë në pozita të larta drejtuese.

Veseli pati deklaruar se ka pasur kritika lidhur me procesin e rekrutimit të njerëzve në pozita të tilla, prandaj, sipas tij, ka filluar dhe po vazhdon ky projekt, i cili do t’i luftojë pabarazitë dhe do të ndihmojë në përzgjedhjen e kuadrove profesionale.

Atë kohë deklaruan se nënshkrimi i këtij memorandumi është një nga lajmet më të mira në dy vitet e fundit, nëpërmjet të cilit, siç deklaroi edhe O’Connell, do të adresohen rastet e nepotizmit.

Ndërkohë, sot në Prishtinë, edhe Haradinaj edhe Veseli do të marrin pjesë në konferencën e projektit të Ambasadës Britanike për Rekrutimin e Pozitave të Larta Drejtuese, konferencë kjo e cila pritet të fillojë në ora 09:00.

Ndryshe, ditë më parë, kjo ambasadë e edhe ajo amerikane reaguan për vendimin e Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur Naser Shalën drejtor të sekretariatit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.