Fjalë Kyçe

Ambasada Gjermane: Të mos keqpërdoret miratimi i ligjeve për FSK-në për eskalim

Ambasada Gjermane: Të mos keqpërdoret miratimi i ligjeve për FSK-në për eskalim

Gjermania i ka dhënë mbështetje transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura, megjithëse kanë kujtuar qëndrimin e mëhershëm se ky proces nuk do të duhej të ngutej, dhe të jetë gjithëpërfshirës.

“Pozicioni gjerman, siç është deklaruar më herët, është se Kosova si një shtet i pavarur ka gjithashtu të drejtën e saj për të pasur forca të armatosura. Ne e kemi theksuar që ky proces nuk do të duhej të ngutej dhe që duhet të jetë gjithëpërfshirës, posaçërisht sa i përket komuniteteve jo-shumicë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Gjermane, dërguar “Kohës Ditore.

Sa i përket pakos së ligjeve që pritet të miratohen nesër në Kuvend, sipas Ambasadës, ato do të analizohen pasi të jenë miratuar. Por, kanë kujtuar se, kjo nismë nuk duhet të keqpërdoret nga asnjëra palë në marrëdhëniet, Kosovë-Serbi.

“Kështu, sikurse në të gjitha aktet e tjera të plota legjislative në Kuvendin e Kosovës, ne do analizojmë ligjet përkatëse, pasi ato të jenë miratuar. Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim vazhdimin e një bashkëpunimi të ngushë me NATO-n gjatë procesit të transformimit. Më e rëndësishmja është që miratimi i ligjeve të mos keqpërdoret si pretekst për një eskalim të mëtejmë nga asnjëra palë në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës“, përfundon Ambasada Gjermane.