Ambasadori i Rusisë në Beograd Alexander Botsan-Kharchenko e ka vlerësuar deklaratën e kryeministrit kosovar në dorëheqje Ramush Haradinaj se Rusia po angazhohet për ndarje të Kosovës, si “qesharake”.
“Kurrë nuk e kemi iniciuar ndonjë ide të ngjashme mbi korrigjimin e territoreve. Në margjina ka pasur propozime të tilla, duke përfshirë periudhën e negociatave për status, mirëpo kurrë zyrtarisht nuk ka qenë mbi tryezën e negociatave”, ka thënë Kharchenko.
Ai ka përkujtuar se për momentin po zhvillohet mjaftë aktivitete rreth Kosovës, gjë që, sipas mendimit të tij, aspak nuk është keq, sepse sa më tepër që ka aktivitete, aq më shumë ka mundësi për stabilizimin e situatës.
“Edhe më shumë mundësi të gjendet ndonjë vendim, gjithëpërfshirës dhe në bazë të drejtës ndërkombëtare. Para se gjithash dua të theksoj se Rezoluta 1244 ende ekziston dhe për këtë arsye ajo duhet të jetë bazë për çfarëdo negociata”, ka porositur Botsan Kharchenko.
Siç ka thënë ai, “Rusia dëshiron që sa më parë të niset me dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa nëse kërkon Serbia, Moska do ta përkrahë në kuadër të drejtës ndërkombëtare”.
“Rusia, duke pasur dëshirë, ka edhe obligim, sepse është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Prandaj është e pamundur që Rusia të mos merr pjesë dhe të mos mbetet faktor në zgjidhje dhe vendimmarrje”, ka thënë ai.