Rritja e numrit të të infektuarve me Covid-19 në javët e kaluara, gjatë këtyre muajve në Kosovë, ka bërë që Qendra e Transfuzionit të Gjakut të përballet me kërkesa të mëdha për kryerjen e një lloji të analizës.
Është kjo analiza D-Dimer, e cila tregon nivelin e koagulimit të gjakut.
Por pacientët në QKUK rrezikojnë të mbesin pa kryerjen e kësaj analize pas anulimit të tenderit për furnizim me reagensë për këtë analizë, shpallur gjatë shtatorit, shkaku i mungesës së ofertuesve, raporton KOHA.
Në QKUK i kanë thënë KOHËS se të njëjtin do ta rishpallin, por nuk kanë dhënë detaje për furnizimin aktual me këtë material, e as për kërkesat e shtuara nga klinikat për analizën D Dimer.
Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, përmes telefonit ka konfirmuar se pothuajse tek të gjitha rastet me Covid-19 ata kanë kërkuar që të kryhet kjo analizë për të parë koagulimin e gjakut dhe zhvillimin e trombozës në gjak.
Koha gjithashtu ka kërkuar një qëndrim nga drejtoresha e Qendrës së Transfuzionit së Gjakut lidhur me këtë analizë dhe kërkesat që aktualisht ka kjo qendër prej klinikave të QKUK-së, por nuk ka marrë përgjigje.
Megjithatë kjo analizë e gjakut, e cila tregon koagulimin e gjakut dhe kërkohet të kryhet tek pacientet e infektuar me Covid-19 kushton 20 euro në laboratorët privatë.
Ata thonë se kanë më shumë kërkesa për këtë analizë sesa për analizën serologjike dhe se kanë pasur disa herë vështirësi në sigurimin e reagensëve për këtë analizë, derisa sqarojnë se pse kërkohet kjo analizë tek pacientët me COVID-19.
Në disa prej studimeve të kryera deri më tani tek rastet me Covid-19 është thënë se ngritja e niveleve të D-Dimer tek këta pacientë u bë një parametër i rëndësishëm në përcaktimin e ashpërsisë të infeksionit të Covid-19.
Kjo analizë është e përfshirë edhe në udhërrëfyesin klinik për menaxhimin dhe trajtimin e Covid-19 përmes së cilës kërkohet monitorimi i gjendjes së pacientit.