Fjalë Kyçe

Anëtarësia e SBASHK-ut refuzon propozimin e Golës, greva vazhdon

Anëtarësia e SBASHK-ut refuzon propozimin e Golës, greva vazhdon

Propozimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, lidhur me grevën në arsim, nuk është pranuar nga anëtarësia e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Kosovës (SBASHK).

Propozimi i Golës që greva të ndërpritet, por mësimdhënësit të përdorin metodën e mos vënies së notave, si formë presioni sindikal ndaj qeverisë, u diskutua në një mbledhje online që u mbajt sonte mes SBASHK-ut, Golës dhe anëtarëve të tjerë të Komisionit për Arsim.

Sekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, në një prononcim për Telegrafin tha se 663 shoqata kanë qenë kundër këtij propozimi, 39 e kanë pranuar, ndërsa 35 të tjera nuk janë deklaruar.

“Ka qenë një takim me kryetarët e sindikatave komunale bashkë me kryetarin e Komisionit për Arsim, Ardian Golën dhe disa nga anëtarët e Komisionit. Është diskutuar për propozimin e deputetit Gola dhe rezultati ka dëshmuar që një numër i madh prej 663 shoqatash e kanë refuzuar, 39 shoqata e kanë pranuar, ndërsa nuk janë deklaruar edhe 35 shoqata dhe një komunë nuk e kemi pasur rezultatin sepse kryetari ka pasur pengesa me internet dhe nuk ka mundur të kyçet”, deklaroi Ymeri.

Ai tutje tha se arsyetimi i shoqatave që e kanë refuzuar propozimin e Golës është se kur të përfundon greva nuk është etike që nxënësit të mos notohen.

Ymeri shtoi se në këtë takim virtual i kanë lutur deputetët që të vazhdojnë angazhimin dhe të bisedojnë me Qeverinë për gjetjen e një zgjidhje, në mënyrë që nxënësit të kthehen në bankat shkollore.

“E vlerësuam që ky takim ka qenë frymë e afrimit me Komisionin për Arsim dhe shpresojmë që deputetët në të ardhmen të bëjnë përpjekje përsëri për ta gjetur një zgjidhje”, përfundoi ai.