Fjalë Kyçe

Antikorrupsioni: Nëse vërtetohet se Shkreta ka mbajtur cash nga viti i kaluar, ka shkelje

Antikorrupsioni: Nëse vërtetohet se Shkreta ka mbajtur cash nga viti i kaluar, ka shkelje

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, pretendon se i janë vjedhur 50 mijë euro cash në banesën e tij në Prishtinë, para këto që nuk figurojnë të deklaruara në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Por, a do të hetohet ai nga Antikorrupsioni për mosdeklarim të pasurisë?

Në një përgjigje me shkrim dhënë Gazetës Express, Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Yll Buleshkaj, tha se raporti i dorëzuar përmes formularit të pasurisë nga deputeti Shkreta, e mbulon periudhën kohore nga 1 janari -31 dhjetori 2021, ndërsa ngjarja ka ndodhur në muajin qershor.

Sidoqoftë, Buleshkaj thotë se nëse vërtetohet se të hollat janë mbajtur nga viti i kaluar cash në banesë dhe nuk janë raportuar, mund të konsiderohet shkelje.

“Fillimisht, më vjen shumë keq që një zyrtar i lartë i Kosovës ka qenë viktimë e krimit. Së dyti, raporti i dorëzuar përmes formularit të pasurisë nga deputeti, e mbulon periudhen kohore 1 janar-31 dhjetor 2021, ndërsa ngjarja që ju keni përmendur ka ndodhur në fund të qershorit 2022, rrjedhimisht krahasimi mund të mos jetë i drejt. Raportimi për pasurinë, të hyrat etj bëhet në vitin 2023. Së treti, në rast që mund të vërtetohet që të hollat janë mbajtur kesh nga viti i kaluar, dhe nuk janë raportuar, mund të konsiderohet shkelje”, tha Buleshkaj të dielën për Gazetën Express.