Fjalë Kyçe

Anulohet tenderi 7 milionësh për insulinat

Anulohet tenderi 7 milionësh për insulinat

Është anuluar procedura tenderuese për furnizim me insulina.

Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë të mërkurën fund tenderit, rreth një javë pasi ministri Arben Vitia denoncoi publikisht për falsifikim dokumentesh një operator ekonomik të përfshirë në këtë lëndë.

Tenderi për furnizim me insulina, i cili ishte iniciuar para më shumë se dy vitesh, kishte vlerë të parashikuar mbi shtatë milionë euro.

Zyra e Prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë, në vendimin për anulim të tenderit të publikuar në faqen e prokurimit publik të mërkurën, ka bërë të ditur se procesi anulohet shkaku i shkeljes së një dispozite të Ligjit për Prokurimin Publik.

Pas anulimit, procesi për furnizim me insulina pritet të ri-tenderohet.

Në një konferencë për media të martën e javës që shkoi, në të cilën ministri Arben Vitia dhe sekretari Naim Bardiqi denoncuan për falsifikim dokumentesh një operator ekonomik rreth tenderit për insulina, ata bënë të ditur se Kosova ka insulina në stok.

Naim Bardiqi, Sekretari i Përgjithshëm i MSH-së, tha se nëse përfundon sasia e insulinave në stok, Ministria do të furnizohet me këtë medikament përmes një procedure emergjente të prokurimit.

“Sa i përket çështjes së procedurës së rregullt të prokurimit, Divizioni i Prokurimit në MSH është në pritje se çfarë do të ndodhë, nëse do të ketë ankimime pas përgjigjes në kërkesën për rishqyrtim nga operatori ekonomik. Stoqet me insulina janë diku edhe për një muaj, një muaj e gjysmë. Një procedurë tjetër emergjente e prokurimit është proceduar para dy muajsh, e cila do të aktivizohet në rast se procedura e rregullt nuk do të përfundojë brenda muajve të ardhshëm”, tha Bardiqi.

Vitia dhe Bardiqi proceduan në organet kompetente të drejtësisë provat lidhur me dyshimet për falsifikim të dokumentacionit në tender nga ana e operatorit ekonomik “Pharma Leader”.

Ministri Vitia tha se është njoftuar që kjo kompani nuk ka pasur asnjë leje apo marrëveshje për të importuar insulina në Kosovë.