Fjalë Kyçe

Apeli ia vërtetoi dënimin: A do t’i lejohet Lushtakut të kandidojë për kryetar të Skenderajt?

Apeli ia vërtetoi dënimin: A do t’i lejohet Lushtakut të kandidojë për kryetar të Skenderajt?

Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar sot dënimin me gjobë kandidatit për kryetar të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut.

Edhe pse vetë Lushtaku kishte deklaruar se kjo nuk do ta pengojë që të kandidojë për kryetar komune, ndryshe mendojnë njohësit e çështjeve juridike.

Në një prononcim për lajmi.net, Ehat Miftaraj ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e bën të qartë që çdo qytetari i cili është dënuar në tri vitet e fundit, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhje qendrore apo lokale.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe çfarë është më e rëndësishme vendimet e gjykatës që lidhen me certifikimin e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, e kanë ndërtuar praktikën që çdo qytetar i Kosovës që është i dënuar për vepra penale qoftë me gjobë apo dënim me burgim apo me kusht, i kufizohet e drejta për të kandiduar qoftë për zgjedhjet qëndrore, qoftë për ato lokale, të cilat përfshijnë edhe pozitën e kryetarit të komunës apo edhe për asambleistë”, ka thënë Miftaraj.

Ai ka thënë se në bazë të kësaj praktike, çdo kush që është i dënuar në tri vitet e fundit nga data kur do të mbahen zgjedhjet lokale, i kufizohet e drejta për të kandiduar.

Në anën tjetër, dje Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar se Sami Lushtaku do të tërhiqet nga gara për Kryetar të Komunës së Skenderajt, për t’i lëshuar përsëri vendin kryetarit aktual të kësaj komune, Bekim Jasharit.

Por, një gjë të tillë e ka mohuar vetë Lushtaku, i cili në një prononcim për lajmi.net ka thënë se tashmë i ka hyrë garës për kryetar të Skenderajt dhe nuk do të kthehet mbrapa.