Fjalë Kyçe

Apostolova e dëgjon rrëfimin e guximshëm për dhunë në familje të Florije Muminit nga Gjilani

Apostolova e dëgjon rrëfimin e guximshëm për dhunë në familje të Florije Muminit nga Gjilani

54-vjeçarja Florije Mumini nga Komuna e Gjilanit për vite me radhë kishte përjetuar dhunë emocionale dhe fizike nga bashkëshorti i saj.

Për periudhën më të keqe të jetës, Mumini e ka shumë të vështirë të flasë, raporton KTV.

Mumimi në atë kohë thotë të mos ketë qenë e vetëdijshme për të drejtat e saj, derisa takoi Shpresa Agushin, një aktiviste për të drejtat e grave.

Ajo bashkë me Elza Bujkun, një vajzë me nevoja të veçanta, kanë treguar përvojat e tyre personale para shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Apostolova ka thënë se dhuna ndaj grave nuk duhet të tolerohet asnjëherë dhe se BE-ja po punon që gratë të kenë të drejta të barabarta me burrat.

“Dhunë ndaj grave nuk ka vetëm në Kosovë, por është fenomen në tërë botën. Duhet përkrahje për të folur për këto tema dhe duke pasur trimëri për të folur për këto çështje, i inkurajojmë gratë tjera ta bëjnë të njëjtën, për këtë jam këtu me juve, t’ju përgëzoj për trimërinë dhe t’ju mbështes juve”, ka thënë Apostolova.

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, drejtoresha e Rrjetit të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase, Shpresa Agushi, ka thënë se me gjithë vështirësitë, këto komunitete janë duke u vetëdijesuar për të drejtat e tyre.

Ndryshe, Agushi është fituese e çmimit “Heroinat e panjohura” për integrimin e romëve, çmim ky i ndarë nga Bashkimi Evropian këtë vit.