Fjalë Kyçe

Arbëreshët e Italisë po vlerësohen si pishtarë të Rilindjes kombëtare

Arbëreshët e Italisë po vlerësohen si pishtarë të Rilindjes kombëtare

Në Kosovë po qëndron një delegacion i kryetarëve të komunave arbëreshe në Itali.

Kosova i priti me një seancë solemne në Kuvend, ku deputetët i falënderuan për krejt çka kanë bërë ndër shekuj që të ruajnë gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Ministri i Diasporës, Dardan Gashi tha se është i lumtur që takimi i parë të këtij lloji, me kryetarët arbëreshë, organizohet nga ministria e Diasporës, në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha që sot ka të tillë që tentojnë ta rishkruajnë historinë duke pretenduar se pushtimi otoman nuk ishte pushtim, por një bashkëqeverisje me një pushtues.

Gashi tha se arbëreshët janë shembulli më i mirë dhe i gjallë se nuk ka pushtues të mirë. Ai tha se pushtimi osman shkëputi shpirtërisht e fizikisht shqiptarët nga Evropa.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli iu drejtua atyre në gjuhën italiane.

Ndërsa, në emër të grupit të arbëreshëve të Italisë Rosario Petta tha se po e ndiejnë veten si në shtëpi të vëllezërve.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar, Armend Zemaj shpreson që në të ardhmen të ketë edhe forma të tjera të bashkëpunimit, në mes të Kosovës dhe arbëreshëve të Italisë.

E Nait Hasani nga Partia Demokratike e Kosovës tha se pjesëmarrja e arbëreshëve këtu tregon që të gjithë jemi shqiptarë.

Ai tha se historia e lashtë është një tregues i rëndësishëm i jetës së shqiptarëve si popull.

Hasani tha se tani, pas luftërave të gjata, dhe luftës së fundit të UÇK-së, kanë arritur ta bëjnë Kosovën shtet të pavarur e një mbështetje të madhe i ka dhënë edhe Italia, që është një prej vendeve të para që e njohu shtetësinë.

E Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje tha se arbëreshët kanë arritur që për më shumë se gjashtë shekuj të ruajnë identitetin përmes gjuhës shqipe, traditave e zakoneve.

Ajo tha se institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë, të bëjnë më shumë, që të ketë më shumë shkëmbime.
Kollqaku tha se institucionet duhet të punojnë më shumë për ruajtjen e gjuhës shqipe.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi tha se është obligim i institucioneve që të vazhdojnë marrëdhëniet me Italinë dhe arbëreshët.

Ndërsa Shqipe Pantina nga PSD tha se arbëreshët janë shembulli më I mirë I ruajtjes së vlerave kombëtare.

Para se të fillojë seanca arbëreshët mysafirë kanë performuar me një pikë artistike.

Grupi i arbëreshëve nga Italia gjatë ditës kanë qëndruar në Ministrinë e Mbrojtjes ndërsa në mbrëmje do të priten nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.