Fjalë Kyçe

Arifaj: S’ka bisedime sekrete me Serbinë

Arifaj: S’ka bisedime sekrete me Serbinë

Këshilltari i Presidentit të Kosovës, Ardian Arifaj, ka thënë se tash ka një momentum të favorshëm për arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi.

Sipas tij, vëmendja ndërkombëtare është rikthyer te vendosja e paqes në Ballkan, dhe si rezultat te marrëveshja ndërmjet dy shteteve.

“Ajo që cilësohet fazë përfundimtare ka filluar, përkundër ngecjes që kemi për shkak të taksës. Kjo do të thotë që është krijuar një momentum shumë i favorshëm edhe në rajon, edhe skenën ndërkombëtare, në favor të një marrëveshjeje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, që do ta mbyllte kapitullin e luftës”, ka thënë Arifaj në Klan Kosova.

Arifaj ka dhënë sqarime pse pikërisht tash është momenti që të arrihet marrëveshja Prishtinë – Beograd.
Ai ka thënë se është kusht për të gjitha shtetet e Ballkanit, që të mbyllin çështjet e hapura.

Këshilltari i Thaçit, e ka mohuar që ka bisedime sekrete me shtetin serb.

“Nuk ekzistojnë bisedimet sekrete. Është e pavërtetë, e pasaktë, se ka bisedime të fshehta. Nuk ka bisedime të fshehta, nuk ka marrëveshje të fshehta. Çfarëdo marrëveshje që të arrihet duhet të ratifikohet me 2/3 e votave të deputetëve. Nuk mund të ketë marrëveshje të fshehtë që do t’ju imponohet qytetarëve”, ka deklaruar Arifaj.

Duke folur për përcaktimin e kufirit, Arifaj ka thënë se një gjë e tillë sjellë vetëm të mira.

“Sikurse me Malin e Zi dhe me Maqedoninë, ne duhet ta përcaktojnë kufirin me Serbinë. Të mirat janë të shumta edhe për tërë rajonin. Dialogu ka krijuar shqetësime tek të gjitha komunitetet, por është me rëndësi që të vazhdojë dialogu. Marrëveshja paqësore do të ketë rol transformues për shoqërinë tonë. Do të ketë rol transformues në tejkalimin e çarjeve etnike. Komunitetet nuk do ta perceptojnë njërin-tjetrin si kërcënim, por si bashkëqytetarë”, u shpreh Ardian Arifaj.