Fjalë Kyçe

Arrestohen 6 persona, legjitimohen 196 tjerë dhe mbyllen 29 nga 53 lokalet e inspektuara në kuadër të planit operativ “Masazha 2021”

Arrestohen 6 persona, legjitimohen 196 tjerë dhe mbyllen 29 nga 53 lokalet e inspektuara në kuadër të planit operativ “Masazha 2021”

Policia e Kosovës (PK) ka arrestuar 6 persona të dyshuar, ka legjitimuar 196 persona tjerë dhe ka mbyllur 29 nga 53 lokalet e inspektuara në kuadër të planit operativ “Masazha 2021”.

Përmes një komunikate për media, PK ka njoftuar se ky aksion është zhvilluar në vazhdën e aktiviteteve të parandalimit dhe luftimit të veprave penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Policia e Kosovës (PK) në vazhdën e angazhimeve të saja aktive në parandalimin dhe luftimin e veprave kriminale, konkretisht Drejtoria për Hetimin e trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ), me qëllim të marrjes së masave proaktive dhe verifikimit të informatave në terren ka hartuar planin operativ për inspektimin e salloneve të masazheve, i cili është realizuar në bashkëpunim dhe mbështetje të inspektorëve komunal, inspektorëve të punës, zyrtarëve të ATK- se, inspektorëve të MINT-se dhe njësive tjera të profilizuar në kuadër te PK-së”, thuhet në komunikatë.

Sipas PK-së, plani operativ i realizuar në nivel vendi, i quajtur “Masazha 2021”, ka rezultuar me 6 persona të arrestuar.“Plani operativ “Masazha-2021”, i realizuar përgjatë këtij muaji në nivel vendi, ka rezultuar me arrestimin e gjashtë (6) personave të dyshuar mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale “Mundësim apo Detyrim në Prostitucion”, “Ofrim i Lokaleve për Prostitucion” dhe “Bashkëkryerje“, thuhet tutje në komunikatën e PK-së.

Aty bëhet e ditur se gjatë këtij aksioni janë inspektuar 53 lokale, ku 29 prej tyre janë mbyllur.“Gjatë këtij operacioni policor, nën autorizimin e organeve të drejtësisë dhe në bashkëpunim me institucionet kompetente janë inspektuar pesëdhjetë e tri (53) lokale, prej tyre njëzë e nëntë (29) lokale janë mbyllur nga inspektorët komunal si dhe janë shqiptuar gjoba për mungesë të arkave fiskale, mungesa e dokumenteve të punës”, thuhet në komunikatën e së premtes.

Tutje, Policia thekson se ka legjitimuar 196 persona, nga vende të ndryshme të botës.“Nga zyrtarët policorë gjatë këtij operacioni janë legjitimuar njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë (196) persona me shtetësi të ndryshme si, nga Shqipëria, Tajlanda, Italia, Greqia, Rumania, Serbia dhe Kosova, ku të gjithë shtetasit e huaj në mungesë të paraqitjes së lejes së punës dhe qëndrimit, sipas procedurave janë trajtuar nga Drejtoria për Migrim dhe Huaj si kompetencë e tyre lëndore”, njofton PK.Në fund bëhet e ditur se personat e dyshuar me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në mbajtje për 48 orë.