Policia e Durrësit ka sekuestruar 55.5 kilogramë cannabis Sativa gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në pikën e kontrollit të kamionëve në qytetin bregdetar.
Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi M.P., 35 vjeç, banues në Tiranë, drejtuesi i mjetit si dhe u shpall në kërkim policor shtetasi R.H., 52 vjeç, banues në Vlorë.
Njoftimi:
Port – Durrës
Policia Kufitare parandalon dhe godet një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.
Sekuestrohen 55.5 kilogramë cannabis Sativa.
Arrestohet në flagrancë një shtetas si dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Shërbimet e Policisë Kufitare Durrës në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Masave për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe në bazë të analizës së rriskut, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në pikën e kontrollit të kamionëve, në mjetin tip Scania, me drejtues shtetasin M.P., shërbimet e Policisë Kufitare duke përdorur edhe qenin antidrogë konstatuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 14 pako me lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa me peshë 55.5 kilogramë e fshehur në vende të ndryshme.
Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M.P., 35 vjeç, banues në Tiranë, drejtuesi i mjetit.
Po në lidhje me këtë rast, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë shpallur në kërkim policor shtetasin R.H., 52 vjeç, banues në Vlorë.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.