Fjalë Kyçe

Arrestohet drejtori i financave i Komisionit të Pavarur të Mediave, dyshohet se mori 8 mijë euro ryshfet

Arrestohet drejtori i financave i Komisionit të Pavarur të Mediave, dyshohet se mori 8 mijë euro ryshfet

Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore të Prishtinës në koordinim me Policinë e Kosovës e ka ndaluar personin A.B, i cili mban pozitën e drejtorit të Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave.

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se i dyshuari ka marrë ryshfet në vlerë prej tetë mijë eurosh me premtimin se do të ndikoj në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim me Policinë e Kosovës, më 29.06.2021, ka ndaluar personin me inicialet A.B., Drejtor i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, njofton Prokuroria Themelore e Prishtinës përcjell Klankosova.tv.

“Sipas dyshimeve fillestare, personi i lartcekur dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej 8.000 € (tetë mijë euro), me premtimin se do të ndikoj në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.I dyshuari, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.