Fjalë Kyçe

Arrestohet i dyshuari për keqpërdorim të fëmijëve në pornografi

Arrestohet i dyshuari për keqpërdorim të fëmijëve në pornografi

Prishtinë- Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar (DHKO), konkretisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, kanë arrestuar të dyshuarin I.G (1976), nën dyshimin për keqpërdorim të fëmijëve në pornografi.

Përmes një komunikate për medie, Policia e Kosovës (PK), bën të ditur se identifikimi dhe arrestimi i të dyshuarit u bë pas pranimit të informatave paraprake dhe hetimeve të zhvilluara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Hetuesit policorë të DHKO-së, kanë arritur që pas hetimeve dhe lokalizimit të personit të dyshuar: I.G., (viti i lindjes 1976, mashkull kosovar), të njëjtin ta arrestojnë dhe ta intervistojnë në cilësi të të dyshuarit”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, i njëjti dyshohet se ka poseduar materiale (foto dhe video) me përmbajtje abuzuese seksuale me fëmijë dhe këto materiale, duke përdorur aplikacione për komunikim online, i ka shkarkuar dhe i ka shpërndarë edhe me persona tjerë.

Bëhet e ditur se në cilësi të provave janë sekuestruar një telefon celular dhe një lapton, ndërsa me aktvendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje deri në 48 orë.