Fjalë Kyçe

Arrestohet një zyrtar doganor për bashkëpunim në kontrabandim të barnave

Arrestohet një zyrtar doganor për bashkëpunim në kontrabandim të barnave

Njësitë e Doganës së Kosovës kanë arrestuar një zyrtar doganor dhe një person tjetër për kontrabandim të barnave.

Kjo pasi zyrtarët doganorë kanë gjetur një sasi të barnave në një veturë në afërsi të pikë kalimit kufitar.

Në indikacionet e mëtejme, zyrtarët doganorë hetues kanë arritur të mësojnë se personi në fjalë posedon edhe një depo të improvizuar private në një parking nëntokësore në Prishtinë. Duke vepruar mbi këto indikacione dhe në bashkëpunim dhe udhëheqje të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, zyrtaret doganorë kanë hyrë në këtë depo, ku kane gjetur stok të konsiderueshme të barërave ilegale në sasi prej 17, 923 pako, 359 lloje të barnave.

“Bazuar në provat e gjetura dhe sipas urdhrit të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, është konstatuar dyshimi i arsyeshëm se zyrtari doganor në detyrë ka qenë i përfshirë në lejimin e kontrabandës. Me këtë rast, hetuesit e Doganës pas urdhrit nga Prokurori, kanë arrestuar zyrtarin doganor si dhe personin e dyshimtë, ndërsa barërat ilegale janë sekuestruar të gjitha”, thuhet në njoftim.

Dogana ka njoftuar se suspendimi i zyrtarit përgjegjës do të bëhet me efekt të menjëhershëm, derisa do të iniciohet hetim mbi përgjegjësinë menaxheriale të mbikëqyrësit të zyrtarit në fjalë.

“Dogana e Kosovës siguron publikun se çmojmë lartë shëndetin e qytetarëve te saj, sigurinë e produkteve, sikurse që kërkojmë të luftojmë të gjitha format e keqpërdorimin dhe neglizhencës së detyrës zyrtare, andaj kërkojmë bashkëpunimin e qytetareve, duke i siguruar të gjithë se do të bëjmë gjithçka që identiteti i qytetarëve që bashkëpunojnë të ruhet me kujdes te veçantë”, thuhet në njoftim.