Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Prishtinës, pas një hetimi më shumë se një mujor, sot ka arrestuar dy të dyshuar për përfshirje në veprat penale, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Marrje e Ryshfetit”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Falsifikim i dokumenteve”.
Policia ka pranuar një informatë nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës, se personi i dyshuar: A.L. viti i lindjes 1982, mashkull, kosovar, shqiptar, ka dorëzuar dy certifikata të falsifikuara për marrjes e diplomës, me arsyetimin se ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës.
Pas hetimit të rastit, policia ka siguruar prova materiale se i dyshuari kryesor i rastit është zyrtari i Universitetit të Prishtinës, i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike: A.J. viti i lindjes 1986, mashkull, kosovar, shqiptar. Dyshohet se i njëjti në shpërblim prej 5000 (pesë mijë) eurove, në mënyrë të kundërligjshme ia ka lëshuar dy certifikata (certifikatën e notave dhe certifikatën e përfundimit të studimeve) të dyshuarit të parë.
Si prova materiale janë konfiskuar: një kompjuter edhe dy telefona celular të cilat dërgohen për ekzaminim në Agjencionin e Forenzikës.
Me aktvendim të prokurorit të PTH-Prishtinë, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë