Fjalë Kyçe

Arrestohet polici për marrje të rryshfetit

Arrestohet polici për marrje të rryshfetit

Inspektorati Policor i Kosovës, ka arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrje ryshfeti” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas IPK, ata kishin pranuar para dy ditëve një informacion lidhur me aktivitetin e dyshimtë për këtë zyrtar policor të stacionit në Shtime. Pas kësaj IPK ka siguruar edhe urdhëresën nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për realizimin e masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit.

“Si rezultat i veprimeve hetimore, IPK ka arrestuar sot në orët e pasdites në Shtime zyrtarin policor të dyshuar për veprën penale “Marrje ryshfeti”dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”dhe me vendim të prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë’, thuhet në njoftimin e inspektoratit.

Polici i arrestuar është i dyshuar për mos ekzekutimin e urdhëresave të ndryshme të organeve të drejtësisë duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

“Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast me dyshimin për përfshirjen edhe të një zyrtari tjetër policor në këtë rast”, thuhet më tej në njoftim.