Fjalë Kyçe

Arrestohet vëllai i kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri

Arrestohet vëllai i kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri

Policia e Kosovës ka arrestuar Salih Tahirin, vëllaun e kryetarit të Vushtrrisë Xhafer Tahiri.

Burime i kanë thënë Kohavisionit se, përveç tij, është arrestuar edhe një person tjetër me inicialet Sh.K.

Lajmin për arrestimet e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

“Sot, më 7 tetot, Njësia e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë ka arrestuar dy të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘ushtrim i ndikimit’. Me aktvendim të prokurorit, që të dy janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka thënë Hoxha për KTV-në.

Në një video-skandal të publikuar ditë më parë, Salih Tahiri, dëgjohet duke diskutuar për marrje ryshfeti në këmbim të lejeve ndërtimore.

Kujtojmë se Prokruoria kishte nisur hetimet për vëllanë e kryetarit të Vushtrrisë që vjen nga LDK-ja.

Ndërmjet qebapëve e jogurtit, Salih Tahiri, vëllai i kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, dyshohet të jetë përfshirë në afera korruptive.

Portali Indeksonline ka publikuar një video-material 12-minutësh, ku supozohet se diskutohet e merret ryshfet në këmbim të lejeve për ndërtim, derisa identiteti i bashkëbiseduesit të Salih Tahirit, nuk bëhet i ditur.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, në llogarinë e tij në Facebook, kishte akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës për shantazh.

“Kjo është edhe një fushatë e ulët e kësaj partie për të më kushtëzuar të kaloj në anën e tyre. Kam refuzuar dhe do të refuzoj t’i nënshtrohem krimit dhe shantazhit. Asgjë e prezantuar në këtë video nuk është me dijen time e as me pjesëmarrjen time”, kishte shkruar mes tjerash Tahiri.

Tutje, Tahiri kishte shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, të cilave u ka bërë thirrje t’i nisin hetimet.

E, pikërisht këtë gjë e ka bërë Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Në një njoftim të dërguar për media, bëhet e ditur se kryeprokurori Shyqyri Syla ka urdhëruar hetimin për videot, ku shihet Salih Tahiri, vëllai i kryetarit Tahiri.

Në fillim të mandatit të tij si kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri e kishte angazhuar vëllanë e tij, Salih Tahiri, si shofer personal.