Fjalë Kyçe

Artistja që çiftelinë e promovoi në shumë filharmoni botërore

Artistja që çiftelinë e promovoi në shumë filharmoni botërore

Pas 13 vite, muzeut etnologjik në Prishtinë, i janë kthyer tingujt e instrumentit të çiftelisë.

Por kësaj radhe, jo nga rapsodët e vjetër, por nga një artiste e re.

Me origjinë nga Gostivari, e rritur në Hamburg të Gjermanisë, Hava Bekteshi është rritur në një familje e cila ka vazhduar traditën shqiptare, dhe ka mbajtur gjithmonë pranë instrumentin me dy tela.

“Vij nga një familje që në shtëpinë tonë gjithmonë ka pasur çifteli, ashtu siç ka në çdo shtëpi shqiptare në mur çifteli. Vëllezërit e mi i bien çiftelisë, ndërsa unë qysh kur kam qenë e vogël kam marrë pjesë në ngjarje të ndryshme shkollore ku kam kënduar me çifteli”, thotë për RTV Dukagjinin, Hava Bekteshi.

Për këtë arsye , çiftelia është bërë edhe pjesë e përditshme e Havës tash e 10 vite, dhe ka thënë se me anë të saj mund të shprehet lirshëm.

“Që e vogël e kam pasur merak të mësoj t’i bie çiftelisë, por nuk do kisha thënë se e kam përzgjedhur me qëllim t’i bie çiftelisë”, tregon më tej Hava Bekteshi, përcjell Telegrafi.

Edhe pse është një instrument me dy tela, tingujt e tij thuhet se kaplojnë edhe malet.

Këtë mund ta vërejmë më së miri, në duart e Hava Bekteshit.

“Çiftelia është instrument shumë unikat, edhe pse shumë instrumente tjera orientale ngjajnë me të”, mendon ajo.

Edhe pse nuk jemi mësuar të shohim femrat me çifteli, Hava tashmë ka arritur suksese në shumë vende, e filharmoni botërore.

“Kam performuar me çifteli në Hamburg të Gjermanisë me 25 maj të këtij viti [2019], në një koncert të madh ku kanë marrë pjesë tenorë, muzicientë e orkestra shumë të njohur. “New Hamburg Festival”, është ngjarja në kuadër të Hamburgut ku zakonisht performoj bashkë me artistë të tjerë të huaj”, tha ndër të tjera Hava Bekteshi.

Edhe pse ajo nuk ndalet së ekzekutuari këngë me çifteli , ajo shpreson se në të ardhmen kjo traditë ruhet por edhe të kultivohet më shumë.