Fjalë Kyçe

As LDK-ja e as VV-ja s’i shkojnë Veselit në takimin me “ftesë të pasinqertë”

As LDK-ja e as VV-ja s’i shkojnë Veselit në takimin me “ftesë të pasinqertë”

Ftesës së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për një takim për t’u koordinuar për dialogun me Serbinë, nuk do t’i përgjigjen as këtë herë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

LDK-ja nuk e ka në plan të marrë pjesë në këtë takim, ku të ftuar janë edhe presidenti, kryeministri dhe Ekipi negociator, raporton KTV.

Deputetja Vjosa Osmani ka thënë se nuk do të bëhen pjesë e një përpjekjeje për të legjitimuar një proces që, sipas saj, po e dëmton Kosovën.

Se as Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në këtë takim, e ka konfirmuar deputeti Xhelal Sveçla të premten në “Interaktiv”.

Ai ka thënë se partia e tij ka kërkesa të qarta mbi procesin e dialogut.

Është hera e dytë që kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, fton krerët institucionalë dhe përfaqësuesit e opozitës në një takim të përbashkët për t’u koordinuar për dialogun, pas formimit të grupit negociator që udhëhiqet nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

LDK -ja dhe Vetëvendosje nuk janë pjesë e ekipit.

Takimi pritet të mbahet të hënën, në Kuvendin e Kosovës.