Fjalë Kyçe

Asambleja Parlamentare e NATO-s shqyrton kërkesën e Kosovës për statusin e anëtarit të asociuar

Asambleja Parlamentare e NATO-s shqyrton kërkesën e Kosovës për statusin e anëtarit të asociuar

Kosova do të jetë pjesë e agjendës së Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila në fund të kësaj jave do të mbajë punimet e sesionit pranveror.

Punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s do të nisin punimet më 25 maj në Sofje të Bullgarisë, ku do të shqyrtohet kërkesa e Kuvendit të Kosovës për avancimin e statusit nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asocuar.

Kështu është bërë e ditur në agjendën e publikuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s.

“Asambleja pritet të miratojë një reformë të thelluar të partneriteteve të saj dhe të vendosë për kërkesat e Maltës dhe Asamblesë së Kosovës për t’u bërë delegacione anëtare asociuese”, thuhet në agjendën e publikuar.

Ndër temat e forumit do të jenë sfidat në vendet e Ballkanit Perëndimor, së bashku me strategjitë për të mbështetur partnerët në rrezik.

“Sfidat e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor do të trajtohen, së bashku me strategjitë për të mbështetur partnerët në rrezik dhe për të rritur angazhimin me Jugun Global. Këto diskutime do të theksojnë përkushtimin e Asamblesë për stabilitetin në rajonet kyçe me interes strategjik, si dhe për të nxitur një dialog më të gjerë mbi sfidat globale”, thuhet në njoftimin e AP të NATO-s.

Pjesëmarrës në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s do të jetë edhe një delegacion nga Kuvendi i Kosovës.

Kosova është përfshirë në agjendë me rekomandimin e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s për dhënien e statusit nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asocuar për Kuvendin të Kosovës, më 24 mars të këtij viti.

Për shumë vjet Kosova ka pasur statusin e anëtarit vëzhgues dhe avancimi i statusit është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në Aleancën Veriatlantike.

Afro 400 deputetë nga 32 vendet anëtare të NATO-s dhe nga 25 vende partnere e organizata parlamentare do të marrin pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, nga 24 deri më 27 maj në Sofje. Forumi organizohet nga Asambleja Kombëtare e Republikës së Bullgarisë.