Aktivisti i PSD-së, njëherit edhe asamblist i këtij subjekti në Prishtinë, Nol Nushi duke komentuar kallëzimin penal që Vetëvendosja e ka dërguar në polici për të parin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, ka akuzuar ashpër partinë e Shpend Ahmetit.
Përmes një postimi në Facebook, Nushi ka thënë se Vetëvendosja është treguar e paaftë për të marrë përgjegjësi, dhe se ka qenë në panikë për rënien e vazhdueshme të popullaritetit.
Sipas tij, Vetëvendosja po shpreson ende në strategjinë e saj të zhvendosjes së vëmendjes.
Ky është postimi i plotë i tij:
ME HAJNA NUK LUFTOHET “KORRUPSIONI”
E paaftë për të marrë përgjegjësi, jokonsistente në çdo qëndrim politik, në panikë për rënien e saj të vazhdueshme të popullaritetit, ish-subjekti i parë politik në Kosovë, “Vetëvendosja!”, po shpreson ende në strategjinë e vjetër të zhvendosjes së vëmendjes, për ta fshehur defaktorizimin dhe degradimin e saj. Mbase nga dëshira për ta ruajtur së paku vendin e tretë.
Shpifjeve, linçimeve dhe akuzave ia paskan shtuar tanimë edhe një kallëzim penal për keqpërdorim në komunën e Prishtinës. Kur? Për kohën që ishin në qeverisje. Ç’demagogji!
E kush e dorëzoi kallëzimin në emër të një subjekti që pretendon bartjen e flamurit të puritanizmit dhe moralizimit? Një hajn klasik!
I njëjti person që për shkak të keqpërdorimeve ishte shkarkuar nga të gjitha pozitat në “Vetëvendosje”. Keqpërdorim të cilin e ka pranuar edhe ai vetë më vonë.
Në “Vetëvendosje”-n e djeshme, keqpërdoruesit iu hiqej nga ana e drejtuesve e drejta për të kandiduar, apo për t’u zgjedhur në çfarëdo pozicioni drejtues.
Në “Vetëvendosje”-n e sotme, keqpërdoruesi shërben si puthadorë i liderit njësh për t’i njollosur të tjerët, që nuk janë (ishin) të gatshëm të keqpërdorën.