Fjalë Kyçe

Asnjë aplikim në KQZ për zgjedhjet në veri, edhe dy ditë afat

Asnjë aplikim në KQZ për zgjedhjet në veri, edhe dy ditë afat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën e përgatitjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komuna të pjesës veriore të Kosovës, që do të mbahen më 19 maj. Paraqitja e kandidatëve duhet të bëhet deri më 18 prill, pra ka afat vetëm edhe vetëm dy ditë. Votuesve jashtë Kosovës u është bërë thirrje që të regjistrohen në listat e zgjedhësve, transmeton Koha.net.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, tha për Koha.net se deri më sot, në orën 16:00, nuk ka pasur ndonjë aplikim të ndonjë subjekti politik për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje, ndonëse, afati mbyllet edhe dy ditë, më 18 prill.

“Siç kemi bërë të ditur më parë, ky afat përmbyllet ditën e enjte, më 18 prill, në orën 24:00. Të gjitha aplikimet që pranohen do të shqyrtohen nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, që pastaj do të paraqesë në KQZ rekomandimet përkatëse për çdo aplikim, për certifikim ose jo”, tha Elezi.

Zgjedhjet në këto katër komuna – Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zveçan e Zubin Potok janë shpallur për datën 19 maj, pasi në nëntor të vitit të kaluar kryetarët e tyre dhanë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës që të aplikojë taksën 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia, por edhe nga Bosnja e Hercegovina.

Pas takimit të përfaqësuesve të serbëve të Kosovës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është njoftuar se ata do të marrin pjesë në zgjedhje.

Siç ka deklaruar anëtari i KQZ-së, Stevan Veselinoviq, fushata e kandidatëve do të zgjasë nga 13 deri më 17 maj, ndërsa regjistrimi i votuesve fillon më 25 prill dhe vazhdon deri më 30 prill.