Për gjuajtjen e dy bombave dhe të shtënave me armë zjarri që ndodhi para dy ditësh në Pejë, nuk është arrestuar ende askush. Nga ky incident ka mbetur i lënduar sigurimi i parkingut të një diskoteke si dhe janë dëmtuar disa vetura. Policia tha për Gazetën Express, se po punojnë për t’i identifikuar të dyshuarit.
Rasti ka ndodhur në rrugën ’Kreshnik Ademaj’ në Pejë.
“Sipas të dhënave të para nga vendi i ngjarjes, janë dëgjuar dy shpërthime nga mjeti rrezikshëm shpërthyes dhe të shtëna me armë zjarri në një parking automjetesh në afërsi të një lokali në rrugën “Kreshnik Ademaj”, tha policia, transmeton Gazeta Express.
Nga ky shpërthim, lëndime të lehta trupore ka pësuar një person, të cilit ju ka afruar ndihma e menjëhershme mjekësore në Spitalin Rajonal Pejë dhe i njëjti pas ndërhyrjes mjekësore është liruar për në shtëpi.
Për këtë rast deri më tani nuk është arrestuar askush, policia po punon në identifikimin e të dyshuarve.
“Një numër i konsiderueshëm i automjeteve të cilat ishin të parkuara në ketë vend janë dëmtuar.
Kjo ngjarje është përfshirë edhe në raportin 24 orësh të policisë:
Pejë 26.07.2019-23:30. Viktima mashkull K-Shqiptar roje në parkingun e një diskoteke, ka njoftuar se ka dëgjuar dy shpërthime dhe disa të shtëna armesh. Si pasoj e të shtënave i njëjti ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa nga shpërthimi janë dëmtuar disa vetura.