Fjalë Kyçe

Asnjë i prekur me koronavirus deri me tash në Kosovë – disa rezultate ende në pritje

Asnjë  i prekur me koronavirus deri me tash në Kosovë – disa rezultate ende në pritje

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka njoftuar se pas rasteve të raportuara si të dyshimta në QKUK me koronavirus, rezultatet dolën negative.

“Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influenza A dhe B. Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR të tre pacientëve”, thuhet në njoftim.

Testet kanë rezultuar negative për SARS-CoV-2, domethënë të tre pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2, ndërsa dy prej tyre është Influencë B pozitiv.

“Sot pasdite kanë ardhur edhe katër mostra, një nga klinika pediatrike dhe tri nga Klinika Infektive të cilat në Laboratoret e IKSHPK kanë hy menjëherë në punë dhe do t’ju informojmë me kohë posa të përfundojë puna në laborator”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Koha ka mësuar se rezultati i mostrave të testimit për pacienten që erdhi nga Zvicra, do të dalin në orën 18:30.