Fjalë Kyçe

Auditori gjen se tenderi për Spitalin Covid nuk duhej të zhvillohej me procedura te prokurorimit të negociuara edhe pa buxhet të ndarë

Auditori gjen se tenderi për Spitalin Covid nuk duhej të zhvillohej me procedura te prokurorimit të negociuara edhe pa buxhet të ndarë

Procedura e prokurimit për ta shndërruar Klinikën e Re Emergjente në QKUK në Spital për COVID-19 në vitin 2020 nga Ministria e Shëndetësisë është zhvilluar përmes procedurës së negociuar pa publikim, sipas të gjeturave nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Teksa për tenderin fillestar për projektin në fjalë “Projektimi dhe Mbikëqyrja profesionale e projektit të Klinikes Emergjente në QKUK – Adaptimi i objektit për nevoja të COVID-19” pati rezultuar me dy kontrata në vlerë totale për dy lote 379,950€.

Loti 1 për projektim ishte nënshkruar dhe paguar në vlerë 189,992€, ndërsa loti 2 për mbikëqyrje ishte nënshkruar në vlerë 189,958€ e cila nuk është realizuar.

Derisa, tenderi për zbatimin e kësaj procedure “Adaptimi i Klinikës se re Emergjente për nevoja të COVID-19” në vlerë të parashikuar 18,683,463€ ishte anuluar pak para hapjes së ofertave, gjatë këtij viti, me arsyetimin se nuk ka linjë buxhetore për këtë projekt në vitin 2021.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar se ndikimi i kësaj procedure është shmangie nga parimet e transparencës dhe konkurrencës dhe ndikon në eliminimin e konkurrencës dhe rrjedhimisht kufizon mundësinë e pranimit të më shumë ofertave me një çmim më të ulët.

Ndërkaq ka rekomanduar tek ministri se duhet të sigurojë që përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të bëhet vetëm për rastet emergjente ndërsa shpallja e tenderit për projekte kapitale të bëhet sipas afateve të parapara në Ligjin e Buxhetit.

Kurse, arsyetimi i zyrtarëve të këtij dikasteri i cili është publikuar në këtë raport, është se procedura është udhëhequr e negociuar pa publikim për shkak se projekti është i një rëndësie të veçantë, me vlerë të lartë.

E meqë hapësirat e Klinikës së Re Emergjente nuk arritën të shndërrohen në Spital për COVID-19 ndërtimi i këtij objekti shëndetësor ka mbetur vetëm me mure të ngritura.

Klan Kosova kishte realizuar kronikë. më 2 korrik 2021, kur ishte anuluar tenderi 18 milionësh për ndërtimin e Spitalit Covid.