Fjalë Kyçe

Avdi Bytyqi kërkon burgim të përjetshëm për personat që ia vranë e ia djegën

Avdi Bytyqi kërkon burgim të përjetshëm për personat që ia vranë e ia djegën

Abedin Bytyqi në tetor të vitit 2016 është vrarë dhe më pastaj trupi i tij është djegur. Për vrasjen e Abedinit, Gjykata Themelore e Prizrenit ka shpallur fajtor gruan e tij, Resmije Bytyqin, Murat Ademin dhe Fadil Fetiun.

Resmija, bashkëshortja e Abedinit është dënuar me 20 vjet burg, Murat Ademi si dorasi me 25 vite burg, ndërsa Fadil Fetiu është dënuar me 12 vite burgim, kurse është lënë i lirë Reshat Ademi.Me këtë vendim të Gjykatës Themelore të Prizrenit nuk po pajtohet babai i viktimës Avdi Bytyqi, i cili po kërkon që të gjithë personat e lartpërmendur të dënohen me burgim të përjetshëm.Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit, vrasja e Abedin Bytyqi është shtyrë nga bashkëshortja e tij, Resmija. Në aktgjykim thuhet se viktima është goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe më pas në mënyrë mizore dhe barbare me qëllim të shkaktimit të dhembjeve të mëdha fizike dhe psikike, viktimës i është vënë zjarri duke i shkaktuar dhimbje vdekjeprurëse të cilat shkaktojnë vdekjen e tij, e më pas viktima është hedhur në një gropë dhe është mbuluar me dhe.Babai i Abedinit, Avdi Bytyqi thotë për KosovaPress, se nuk është aspak i kënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit, pasi sipas tij, është dashur që të gjithë të dënohen me burgim të përjetshëm, për çka edhe do të ushtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi.   Avdiu thotë se reja e tij që e ka shtyrë vrasjen e djalit është dashur të dënohet me burgim të përjetshëm. Ai thotë se Resmija është kryesorja që ka shtyrë djemtë e axhës së saj që të vrasin dhe djegin djalin e saj.

Babi i Abedinit nuk po pajtohet as me atë që Murat Ademi, që akuzohet si dorasi është dënuar me 25 vite burgim. Avdi Bytyqi thotë se për vrasjen që e ka bërë më e pakta është dashur të dënohet me mbi 35 vite burgim.

Bytyqi po kundërshton edhe vendimin që Fadil Fetiu është dënuar me 12 vite burgim, ndërsa Reshat Ademi është lënë i lirë.

Avokati i familjes Bytyqi, Blerim Mazreku për KosovaPress, ka bërë të ditur se pasi ta pranojnë aktgjykimin e gjykatës do të parashtrojnë ankesë ndaj vendimit në Gjykatën e Apelit.

Kujtojmë se vrasja e Abedin Bytyqit kishte ndodhur në tetor të vitit 2016 në fshatin Peçan të Suharekës.

Prokuroria Themelore në Prizren, i akuzonte Murat dhe Reshat Ademin se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore, të ndjerin Abedin Bytyqi. Resmije Bytyqin e akuzonte për shtytje në kryerjen e vrasjes, ndërsa Fadil Fetiu e akuzonte për mos lajmërim të veprës penale. Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë duke e rrahur. Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytytqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin. Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Po ashtu, sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur.